Nga Gëzim KABASHI

Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” mbrëmjen e kaluar fitoi duarokitje të gjata e të merituara pas koncertit të radhës në kishën e Shën Domenikut.

Me një përvojë tashmë 42-vjeçare, ansambli me 18 instrumentistë që drejtohet nga dirigjenti i njohur Petrika Afezolli u paraqit me vepra të autorëve të shquar të literaturës muzikore botërore.

Sipas pedagogut Edmond Buharaja, orkestra është një aset i qytetit të lashtë, i cili është krenuar në shekuj me muzikatët e mëdhenj Jan Kukuzeli dhe Gjergj Lapacaja.

Koncerti nr 3 “Bradenburgez” nga J. S. Bach me të cilin u hap koncerti, sipas specialistëve konsiderohet një nga veprat e rëndësishme për një formacion instrumental.

Dirigjenti Afezolli shfrytëzoi akustikën e shkëlqyer të sallës për ti përcjellë dëgjuesve emocione të veçanta, në një prej koncerteve të rralla jashtë sallës së teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Në dy koncertet e përzgjedhura nga krijimtaria e begatë e kompozitorit Antonio Vivaldi, me të cilët vijoi shfaqja, orkestra e harqeve të Durrësit shoqëroi violinistin e ftuar Miron Peku.

Një dialog mjeshtëror i solistit Miron Peku me orkestrën” – tha pas koncertit pedagogu i Universitetit të Arteve, Edmond Buharaja, i cili vlerësoi veçmas interpretimin e ngrohtë të violinistit Peku në veprën për violinë solo Pasacaglia, të autorit bohem-austriak të shek 17 Heinrich Ignaz Franz Biber.

Peku i ri, “bir arti”, interpretoi mbrëmë për herë të parë në qytetin ku u formua si instrumentist babai i tij, Ramazan Peku.

Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në Konservatorin Superiuor të Gjenevës (Zvicër), Miron Peku ka interpretuar në salla të ndryshme në Itali, Francë, Zvicër e Jordani.

Pjesmarrës në disa ansamble instrumentale në Evropë, ky është recitali i dytë i artistit në Shqipëri, pas bashkëpunimit me prof. Nora Çashku.

Koncerti i mbrëmjes së kaluar, megjithëse u organizua në një nga mjediset në periferi të qytetit bregdetar, përveç artdashësve të shumtë, u ndoq edhe nga artistë të mirënjohur nga Shqipëria dhe Kosova.

Realizoi fotot: Tim Doka