Kuptimi i shprehjes: Rastësia është mbreti i botës, u materializua më së miri fundjavën e shkuar te skuadra e Teutës, ku portieri 17-vjeçar, Endri Dema, bëri një debutim ëndrrash me durrsakët.Fillimisht u desh largimi i portierit të dytë. Bobi Celeski u largua në janar dhe Dema u bë përzgjedhje e dytë, ndërsa fati kishte të bënte me dëmtimin e portierit Pano Qirko një ditë para ndeshjes me Dinamon.Rrallë ndodh që trajnerët shqiptarë të guxojnë me aktivizimin e të rinjve, por edhe kur e bëjnë, e materializojnë vetëm kur u ngec sharra në gozhdë, siç ishte rasti i Demës.

Gjithsesi, 17-vjeçari durrsak diti ta shfrytëzojë rastin dhe menjëherë rrëmbeu skenën duke u bërë shpëtimtari i Teutës ndaj Dinamos dhe falë pritjeve të tij ekipi i trajnerit Renato Arapi po shijon një moment qetësie. Jo vetëm Teuta, por edhe futbolli shqiptar po fiton një portier të perspektivës. Me atë që tregoi në debutim, 17-vjeçari Dema premton për të ardhmen. Djaloshi durrsak nuk ka mbërritur rastësisht në këtë pikë, por gjithçka ka ardhur falë punës së tij me stafin teknik, të cilët kanë besuar që në fillim duke e afruar pranë ekipit të parë.

Gjatë merkatos verës së shkuar, portieri Simon Simoni, që aktualisht është pjesë e Dinamos, ishte pranë durrsakëve.Madje, pasi ka hequr dorë Teuta, ka hyrë Dinamo, që e bëri të sajin ish-portierin e Shënkollit dhe të ekipeve kombëtare të moshave.Arsyeja pse Simoni nuk e veshi fanellën e Teutës ka qenë besimi që trajneri i portierëve Bledian Rizvani ka besuar tek Endri Dema.Mësohet se trajneri Rizvani u ka pohuar drejtuesve të bordit durrsak që Demën e shikon në të njëjtin nivel me Simonin dhe meqenëse ai e kishte stërvitur 17- vjeçarin në dy vitet e fundit, preferonte që t’i jepnin një dorë dhe besim produktit të akademisë së tyre.Ndeshja me Dinamon tregoi se Rizvani ka pasur të drejtë në instiktin dhe besimin duke mbajtur nën urdhrat e tij portierin Endri Dema.