Kur thuajse 90 ditë na ndajnë nga data 25 prill, demokratët e Durrësit, Shijakut dhe Krujës janë në terren në kontakte me bazën dhe qytetarët, ashtu siç janë edhe direktivat që vijnë nga selia blu në Tiranë. Edhe aleati i tyre Agron Duka, në faqen zyrtare të Partisë Agrare Ambientaliste qarku Durrës publikoi sot fotografitë e para nga takimet elektorale. Deri më tani, i vetmi emër që dihet me siguri të plotë se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të qarkut është kreu i PAA-së, që ditë më parë përmbylli marrëveshjen paraelektorale me Bashën dhe siguroi renditjen në një nga 3 vendet e para.

Krahas Dukës, një vend të sigurt në listën e qarkut të Durrësit pritet ta kenë edhe ish-deputetët Edi Paloka dhe Oerd Bylykbashi. Paloka, nënkryetar i PD-së dhe njëkohësisht drejtues politik i qarkut, dhe Bylykbashi, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, pritet të jenë pjesë e listës së sigurt, ashtu si 4 vite më parë.

Në vitin 2017, Bylykbashi dhe Paloka renditeshin respektivisht i pari dhe i treti në listë, por duke qenë se Agron Duka do të jetë në një nga 3 vendet e para dhe një vend pritet t’i rezervohet një kandidateje femër (në respekt të kuotave gjinore), jo domosdoshmërisht dy të parët do të mund të vendosen në të njëjtat pozicione si 4 vite më parë.

Si Paloka, ashtu edhe Duka, kanë deklaruar pak ditë më parë për “DurrësLajm” se besojnë fort në një rezultat pozitiv të PD-së në qark, por u treguan të ngurtë në deklarimin e një numri të përafërt mandatesh që synojnë të fitojnë.

Duke marrë parasysh humbjen e thellë 4 vite më parë, por edhe rezultatin e një sondazhi të publikuar pak ditë më parë, ku PD rezultonte me rritje të ndjeshme në qark, demokratët synojnë 6-7 mandate, meqë LSI pritet të dalë me listë të veçantë. 

Nëse do të marrim të mirëqenë se 6-7 vendet e para mund të konsiderohen të sigurta në listë, Bashës i duhen edhe 4 emra krahas Palokës, Bylykbashit dhe Dukës për të mobilizuar sa më shumë demokratët e Durrësit, Shijakut dhe Krujës si dhe për të garantuar maksimalizimin e votave.

Po t’i referohemi listës së kandidatëve të vitit 2017, Fatbardha Kadiu ishte e vetmja femër nga vendi i parë deri në vendin e tetë. Kadiu është një nga 27 emrat e propozuar nga baza në muajin shtator, por nuk dihet nëse Basha do t’i besojë edhe për një mandat tjetër deputeti apo do të përzgjedhë një nga 6 emrat e kandidateve të tjera femra të propozuara nga baza. Mes demokratëve kishte zëra se dhe Grida Duma mund të përfshihet në listën e Durrësit, por nisja e takimeve elektorale në kryeqytet nga ana e saj e bën thuajse të pamundur këtë opsion. Një lajm që bëri xhiron e medieve pak ditë më parë se ish-moderatorja Floriana Garo mund të kandidonte në Durrës dukej më shumë si një lajm i krijuar për klikime. Por Basha jo pak i surprizoi demokratët në vitin 2017, prandaj asnjëherë nuk i dihet…

Nëse Paloka do të jetë i vetmi emër në listën e sigurt i ardhur nga Tirana, pjesë e listës fituese pritet të jetë edhe një kandidat që garanton mbështetje të madhe dhe vota në zonat rurale të bashkisë Durrës e Shijak, dikur bastione të saj, por që PD i lëshoi njëra pas tjetrës në 8 vitet e fundit në opozitë.

Burime nga selia lokale konfirmojnë për “DurrësLajm” se gara mes kandidatëve të propozuar nga baza dhe të votuar në fillim të tetorit të vitit të kaluar mbetet shumë e fortë dhe e ethshme. Bashës do t’i duhet të zgjedhë mes 28 emrave nga Durrësi, 5 emrave nga Shijaku dhe 13 emrave nga Kruja, ekipin që pritet të përfaqësojë elektoratin e djathtë, e pse jo të plotësojë synimin e demokratëve që theksojnë se ndryshimi këtë herë do të vijë nga qarku i Durrësit.

Mes ish-deputetëve, drejtuesve të lartë të degëve, emrave të njohur nga shoqëria civile, përfaqësuesve nga shtresa e të persekutuarve politikë etj, kreut të selisë blu do t’i duhet të përzgjedhë 14 emrat që do të garojnë për mandatet e qarkut Durrës. Enigmat janë të shumta deri më tani në mesin e demokratëve, të cilët presin që në muajin shkurt të kenë një tablo më të qartë mbi kandidatët potencialë të PD-së në qarkun e Durrësit.

Lista me emrat e kandidatëve nga Durrësi, Shijaku e Kruja që ndodhet në tryezën e Bashës:

M.B.