Nga Mila Ballhysa
Për të tretën pasdite me radhë, një pjesë e qytetarëve të Durrësit ishin në protestë.
Protestonin për shtrenjtimin e çmimeve të naftës dhe ushqimeve.
Protestonin sepse me rritjen galopante të çmimeve jetesa u është bërë edhe më e vështirë dhe rrezikojnë që të mos mund të çojnë bukë në familjet e tyre.
Protestuan në mënyrë paqësore, duke mos shkaktuar asnjë trazirë, përveç bllokimit të disa akseve, si e vetmja mënyrë që kanë në dorë për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet nga veshët e atyre që janë të shurdhër prej kohësh.
Protestuan edhe për ata që vazhdonin të shijonin kafenë apo ngrohtësinë e shtëpisë.
Protestuan edhe për ata që protesta i zuri në timon dhe nuk fiknin makinën, sepse nxitonin të mbërrinin një orë e më parë në destinacionin e tyre.
Protestuan edhe për policët, madje edhe për ata që ishin pjesë e kordonit policor që tentuan disa herë t’i pengonin në qëllimin e tyre.
Protestuan edhe për ata policë që i kapën për krahësh dhe i shoqëruan në komisariat. Në fund të ditës, edhe ata policë do çojnë bukë në familjet e tyre dhe rritjen e çmimeve e vuajnë njësoj si ata të rinj që guxuan dhe provuan se në këtë vend ka ardhur koha që populli të ngrejë zërin fort.
Për 3 ditë me radhë, qytetarët që iu bashkuan protestës kanë paralizuar lëvizjen e automjeteve në shumë rrugë kryesore të Durrësit, por në të njëjtën kohë kanë ngjallur shpresën e shumë të tjerëve që mendonin se këtij populli i kishte “vdekur nervi”.
Nëse nesër çmimet do jenë më të përballueshme për të gjithë ne, do u detyrohemi atyre që këto ditë kanë sfiduar të ftohtin dhe po kalojnë natën pas hekurave të qelive.