Teuta-Kastrioti është një nga duelet “zjarr” të javës së 25-të në Kategorinë Superiore. Rëndësinë këtij takimi ia shtojnë vetë pozitat që mbajnë dy skuadrat në renditje, ku krutanët duan që të dalin nga zona e rënies, ndërsa durrsakët që të ngjiten në renditje dhe të distancohen nga tri vendet e fundit.

Një fitore me Kastriotin do të bënte që qetësia të shtohej në kampin durrsak dhe synimet për Europën t’i realizojnë përmes Kupës së Shqipërisë, ku në gjysmëfinale do të përballen me Laçin.

Mesfushori i ekipit durrsak, Albano Aleksi, foli rreth sfidës së radhës në kampionat ndaj Kastriotit, ku ka besim te marrja e trepikëshit. Aleksi pohoi se Teuta do të mbajë ritmin pas fitores me Egnatian dhe do të tentojë të përsërisë suksesin e dy sezoneve më parë kur arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë.

Së fundmi u hodh shorti i Kupës. Jeni i kënaqur që do të luani në gjysmëfinale me Laçin dhe për më tepër ndeshjen e parë në Durrës?

Jemi shumë të fokusuar te ndeshja e radhës në kampionat ndaj Kastriotit, ka kohë për të menduar për duelin e Kupës. Pas dy javësh që do të jetë ajo ndeshje, kemi kohë të bisedojmë, por e rëndësishme është ndeshja ndaj Kastriotit, ku duhet marrë maksimumi.

Do të donit një finale me Vllazninë apo me Partizanin në Kupë?
Po e përsëris, është shumë herët për të menduar për Kupën, pasi jam i fokusuar totalisht te ndeshja e radhës. Nuk kam qejf të deklaroj gjëra të tjera përpara takimit të radhës.

Si vjen Teuta në këtë sfidë delikate?
Rëndësia është e madhe, duke qenë një sfidë delikate. Ndeshja është shumë e fortë. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Skuadra këtë javë ka qenë në rregull, jemi stërvitur mirë, dëshira është e madhe dhe të gjithë mezi po presim ndeshjen.

Nuk keni fituar asnjëherë me Kastriotin këtë sezon. Është ky momenti i duhur për t’i mundur dhe për të qenë më të qetë?
Ne i kemi të gjitha mundësitë. Jam shumë i gëzuar për faktin që kemi bërë një stërvitje mjaft të mirë. Skuadra ka entuziazëm në stërvitje, gjë që më bën të besoj se të dielën mund t’ia dalim. Ne kemi lojtarë mjaft të mirë në fazën ofensive. Jam i bindur që në çdo moment të ndeshjes mund të konkretizojmë me sukses.

Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë duel?
Kam besim absolut te shokët. Të dielën duhet të jenë të gatshëm, të qartë dhe të qetë përpara portës, që është më kryesorja. Shpresoj të shënojmë, por nuk ka rëndësi se kush shënon, një mbrojtës apo mesfushor. Jemi drejt fazës së fundit të kampionatit, po shkojmë drejt fundit. E rëndësishme është fitorja, nuk ka rëndësi kush shënon.

Sa shanse ka Teuta për të fituar trofeun e Kupës?
Nëse do të jemi të përqendruar si ekip do të arrijmë larg në të dyja frontet, pasi çdo gjë është në dorën tonë. Gjithsesi, kampionati sa vjen dhe bëhet më i fortë. Unë besoj se jo vetëm që do t’ia dalim për t’u ngjitur lart në renditje, por do të mundohemi të përsërisim suksesin e 2020-ës, duke fituar Kupën e Shqipërisë.