Pas rizgjedhjes së Armand Dukës në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka ardhur edhe urimi nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin

Čeferin uron Dukën për një mandat të suksesshëm, me sigurinë që nën drejtimin e tij, futbolli në Shqipëri do të vazhdojë të zhvillohet.

Në letrën e urimit, kreu i qeverisë së futbollit europian falenderon numrin një të futbollit shqiptar mbi arritjet e veçanta të futbollit vendas, por edhe punën përtej kufijve shqiptarë dhe angazhimin në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

Letra e plotë e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin:

I dashur Zoti President, i dashur Armand, jam i lumtur t’ju uroj për rizgjedhjen tuaj si President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ju uroj më të mirat në këtë mandat të ri dhe jam besimplotë se futbolli në Shqipëri do të vazhdojë të zhvillohet.

Vetë Federata Shqiptare e Futbollit është shtylla kryesore e komunitetit të futbollit dhe punon shumë për të mbajtur në qendër të vëmendjes çështje kyçe si pjesëmarrja në evenimente të rëndësishme apo zhvillimi i infrastrukturës. Anëtarë të Komitetit HatTrick të UEFA-s, ku ju jeni edhe Zëvendës-Kryetar kanë vizituar së fundmi Shqipërinë për të parë nga afër progresin.

Shumë shpejt, ju do të mirëprisni me ngrohtësi në skenë edhe futbollin europian, teksa do të luhet finalja e parë e UEFA Europa Conference League.

Armand, personalisht, do të doja t’ju falënderoja për angazhimin tuaj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Të shprehura më sipër janë arritje shumë të veçanta për futbollin në Shqipëri, por është gjithashtu e rëndësishme të vlerësosh të gjithë punën që bëni për futbollin përtej kufijve tuaj.