Dy piano të reja, aq shumë të deshiruara nga nxënësit e shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” , janë dhuruar nga 200 artistë nga Shqipëria dhe Kosova, që u bënë bashkë në dy koncerte bamirësie menjeherë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019 në Durrës. Pianot i janë dorëzuar sot stafit pedagogjik nga sopranoja me famë botërore Inva Mula, në një ceremoni të ngrohtë e miqësore.
“Është vetëm fillimi dhe synojmë që bashkëpunimin e vyer ta çojmë edhe më tej”,– tha sopranoja e njohur, iniciatore e fushatës.
Të gjithë të pranishmit vlerësuan këtë nismë kaq të bukur që bëri të shkëlqejnë prej gëzimi sytë e artistëve të ardhshëm durrsakë.
“Këto dy piano të reja do të ndihmojnë nxënësit të performojnë më bukur, por nga ana tjetër ndihemi mirë që krijohen këto ura komunikimi dhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin”,- tha drejtori i shkollës artistike Orges Mema.
“Sot jemi vetëm 3 nga anëtarët e skuadrës prej 9 vetash, që besuam dhe së bashku me pasionin më të madh arritëm maksimumin e asaj që i kishim vënë vetes si mision. Kur e sheh sot të finalizuar është diçka fantastike”,– deklaroi Albi Greva, bashkëorganizator i dy koncerteve të mbajtura dy vite më parë.
Më shumë se dy vite më parë, dhjetëra artistë nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në koncertet e zhvilluara në Tiranë dhe Prishtinë, ndërsa donacionet u konkretizuan me blerjen e dy pianove dhuratë për shkollën “Jan Kukuzeli”.