Një familje ka shpëtuar mrekullisht sot në Durrës, te parkingu i pallatit të sportit, kur një strukturë e ndërtesës u shkëput nga objekti dhe ra mbi mjetin e parkuar.

Familja nga Tirana sapo kishte parkuar makinën në parkingun privat që ndodhet në oborrin e pallatit të sportit “Ramazan Njala”, kur pa kaluar as dy minuta, u shkëput kjo pjesë e strukturës siç shihet në pamjet që po transmeton “DurrësLajm”.

Ajo ra mbi automjet duke shkaktuar dëme të shumta materiale, por për fatin e mirë pa të lënduar.

Personi që i ndodhi ky incident, përveç tronditjes që pësuan familjarisht në ato momente kur panë gjithë skenën, tanimë i duhet të riparojë makinën me buxhetin e tij, pasi siç thotë ai për “DurrësLajm”, siguracioni i mjetit nuk e mbulon një rast të tillë, dhe po ashtu parkingu privat.