Superliga e basketbollit të meshkujve vijon me sfidat e sezonit të rregullt, teksa dje u luajtën takimet e javës së 15-të. Javë që dhuroi ndeshje interesante, ku nuk munguan as surprizat.Kryendeshja mes Tiranës dhe Teutës shkoi në favor të bardhebluve. Partizani bëri goditjen në Shkodër, teksa mposhti Vllazninë, duke sjellë edhe dorëheqjen e trajnerit Fabjan Gjuka, ndërsa Kamza fitoi derbin përballë Dinamos.

TIRANA-TEUTA – Ndryshe nga takimet e mëparshme të këtij sezonit, me kryeqytetasit dhe bregdetarët që kishin dhuruar sfida me shumë rivalitet, këtë herë Tirana u tregua shumë superiore ndaj Teutës. Bardheblutë e Erkand Karaj triumfuan me rezultatin 80-56 (15-11, 20-12, 19-22, 26- 11). Me këtë sukses Tirana ruan vendin e parë të renditjes, por regjistron dy ndeshje më shumë se durrsakët.Për sa i përket takimit, Tirana ishte në avantazh gjatë të gjithë kohës, për ta thelluar ndjeshëm epërsinë në periodën e katërt. Shënuesi më i mirë ishte Hysa, autor i 32 pikëve, ndërsa vazhdon të shkëlqeje edhe Hysenagolli, që koleksionoi dopietën e radhës dyshifrore me 19 pikë dhe 18 kërcime.Tirana në këtë takim u paraqit me një formacion 100 % shqiptar, pasi amerikanët Clark dhe Smith janë larguar nga kryeqyteti papritur dhe pa lënë gjurmë. Për Teutën dopioshifër pikësh prekën vetëm Bruce me 15 dhe Gorea me 10.