Nga Shpëtim KODRA

Më 31 dhjetor 1940 u shfaq në SHBA filmi “Diktatori i madh” i Çarli Çaplinit, që mbyllet me fjalimin brilant: “Sistemi diktatorial i detyron brezat e rinj të vrasin njerëz të pafajshëm. Urrejtja e njerëzve zhduket bashkë me diktatorët. Liria nuk mund të shtypet. Ushtarë! Mos iu nënshtroni njerëzve të pashpirt! Ju s’jeni makina s’jeni bagëti. Ju nuk urreni. Mos luftoni për skllavërinë. Luftoni për lirinë. Popuj! Keni forcën të krijoni lumturinë dhe ta bëni jetën të bukur e të lumtur. Në emër të demokracisë të bashkohemi të gjithë”!

Dhe sot luftën e një populli martir e udhëheq një atdhetar i diplomuar në drejtësi e që ka punuar si aktor, skenarist e producent. Kish zgjedhur humorin si mënyrën më tërheqëse që të ngjallte dashurinë për të vërtetën, se në thelb humori është një art serioz. I veshur ushtarak, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë e demokracisë, Zelensky po armatos edhe ukrainasit me frymëzim e krenari kombëtare, duke marrë mbështetjen morale nga bota e civilizuar, nga 141 shtete. Ai shprehet: “Rusia është një shtet terrorist. Ne nuk dorëzohemi. Nuk do të humbasim. Kur na sulmojnë, agresorët na kanë përballë’’.

Karl Poper: “Komunizmi-armiku më i madh i demokracisë”. Putin-perfaqësuesi modern i komunizmit, madje i institucionit të tij më mizor. Si diktator, synon pushtet të përjetshëm, përmes ushtrimit të të cilit nuk kursen as jetën e fëmijëve ukrainas, por as jetën e të rinjve ushtarë rusë. Sipas planit makabër, ai djeg e shkreton Ukrainën dhe vret çdo ditë njerëz të pafajshëm, duke u shkaktuar të dy kombeve plagë për tërë jetën. Ai ka thënë: “Ukraina- pjesë integrale e historisë dhe kulturës sonë. S`jemi vetëm kufitarë, por dhe farefis. Kemi lidhje gjaku”. Marks: “Nuk është i lirë një popull që shtyp një tjetër”.

Putin: “Kolapsi i B.S ka qenë tragjedia më e madhe e shekullit XX. Askush s’duhet të ketë iluzionin se mund të arrijë superioritetin ushtarak mbi Rusinë”. Aktualisht, përsa u përket fuqive ekonomike botërore, Rusia renditet e njëmbëdhjeta, pas Koresë së Jugut. Pra problem për të nuk është ekonomia, por fuqizimi ushtarak. Kushtet skllavëruese që i vë Putini Ukrainës janë cinike e poshtëruese: gjuha ruse, si gjuhë e dytë zyrtare, çmobilizimi, denazifikimi, njohja e pushtimit në Krime, Donbas, Luhansk. Për të realizuar synimet e tij, ai po tregon dëshirën për të fshirë kombin ukrainas.
Edhe Hitleri thonte dikur: “Për të mposhtur një komb, më parë duhen çarmatosur qytetarët e tij”. Për Putinin Ukraina nuk mund të ekzistojë si shtet i pavarur. E ka argumentuar në esenë e tij “Mbi unitetin e rusëve dhe ukrainasve në histori”. Çërçill: “Komunizmi- filozofi e dështimit, kredo e injorancës”. Në BRSS u bashkuan shumë kombe me kultura të ndryshme. Si mund të flitej për Luftë Patriotike, kur në atë shtet u bashkuan dhunshëm disa kombe. Në kryeqendrën e komunizmit internacionalist diktatorët pasuan njëri-tjetrin. Nuk janë njerëzit, por është sistemi që i bën të tillë.
Prej 105 vjetësh BS (Rusinë) e kanë drejtuar vetëm udhëheqës e pushtetarë komunistë që e kanë kthyer në një shtet rusomadh, agresiv e pushtues. Me 14 shkurt 1919 deri më 18 mars 1921, ndërkohë që në luftën civile në Rusi, edhe për shkak të urisë e zisë së bukës, pati rreth 5 milion viktima, Lenini shkaktoi edhe vdekjen e 60.000 ushtarëve të kuq, duke mos e pushtuar dot Poloninë.

Më 5 janar 1938 Stalini i ktheu Hitlerit 42 refugjatë gjermanë; më 1939-41 i ktheu 300 të tjerë. Më 23 gusht 1939 , pas nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop në Kremlin, Gjermania pushtoi më 1 shtator 1939 pjesën perëndimore të Polonisë, ndërsa BS pjesën lindore, ku komunistët sovjetikë kryen dhe masakrën e Katinit. Në nëntor 1939 U.Kuqe sulmoi Finlandën, ndërsa në qershor 1941 pushtoi, me zjarr e hekur, te tria republikat baltike. Pas Luftës II Botërore dhe krijimit të Kampit socialist, ushtria sovjetike u impenjua ushtarakisht në shtypjen e protestave në Gjermani e Poloni më 1953; në Hungari e Poloni më 1956 dhe në Çekosllovaki më 1968. Pas 4 diktatorëve Lenin, Stalin, Hrushov e Brezhnjev, Putini i pesti. Në 30 vjet histori, që nga rënia e BRSS e deri sot janë krikuar19 konflikte. Dhe që nga 24 shkurti 2022 Putini hedh bomba e raketa çdo natë mbi Ukrainë, duke përdorur Bielorusinë si “place d’arme”. Më 18.03.2022 manifestimi absurd rusomadh me parullën “Za Rossia! Za mir bez nacizma! (Për Rusinë! Për botën pa nazizëm).

Putini nuk e njeh Kushtetutën e Leninit, sipas të cilës parashihet edhe e drejta për vetëvendosje e kombeve, pjesëtarë të BRSS. Nuk njeh vendimin e parlamentit ukrainas të datës 16.07.1990, kur u miratua sovraniteti i Ukrainës. Nuk njeh as vendimin e parlamentit ukrainas të 24 gushtit 1991, që miratoi Aktin e Pavarësisë, pasi votuan 92% e ukrainasve pro shkëputjes nga BS. Më 24.12.1989 Kongresi i Deputetëve të Popullit në BS dënoi Protokollin sekret të 23 gushtit 1939. Në 80-vjetorin e përkujtimit të viktimave të nazizmit e të komunizmit, në Varshavë, presidenti Steinmeier i kërkoi ndjesë popullit polak për krimet e nazizmit: “Nuk është turp të pranosh përgjegjësitë, por të mohosh krimet”. Ndërsa Putini nuk mori pjesë, pasi në 2019 i ka mohuar përgjegjësitë e Paktit. Krimet e nazizmit janë dënuar në Nyremberg më 1945-46, kur Ribentropi u dënua me varje, si dhe më 1966, kur u dënuan 86.000 oficerë nazistë. Krimet e komunizmit nuk janë dënuar dhe Molotovi vdiq më 1986 i pashqetësuar. Komunizmi është utopi vrasëse, iluzion i përgjakshëm.
Komunizmin dhe nazizmin i bashkon ideologjia totalitare (racore-klasore) nacionaliste, mospranimi i rotacionit të pushtetit, dhuna, krimi, terrori, censura, propaganda, urrejtja ndaj intelektualëve, kulturës, artit, letërsisë. Diktatura naziste dhe ajo komuniste kanë origjinë majtiste. Partia naziste emërtohej Partia Gjermane Nacionalsocialiste. Hitleri thirrej Fyhrer (prijës, udhëheqës), Stalini Vozhd. Supremo. Holodomor (vdekje nga uria)përbën një episod tragjik të kolektivizimit me dhunë në fshat. Genocidi nga uria rëndoi së tepërmi edhe mbi Ukrainën. Burgosje, internime, konfiskime.

Në vitet 1921-22, kur shumë fëmijë në BS vdisnin nga uria, u vërtetuan edhe raste kanibalizmi. Më 1929-32 u morën dy masa: kolektivizimi e dekulakëzimi. E para shënoi fshirjen e pronës private, e dyta eleminimin fizik dhe deportimet në Siberi e Arktik. Nuk qe korrja e pakët, por plani i eksportit që duhej realizuar, edhe me ndjekjen nga skuadrat speciale. Në Ukrainë më 1932-33 pati rreth 1,5 milion të vdekur. Holodomor u konsiderua si krim i tmerrshëm kundër popullit të Ukrainës dhe krim kundër njerëzimit.

Holodomor u njoh si akt genocidal nga parlamentet e 24 shteteve. OKB e dënoi si krim më 2003. Më 26 nëntor 2006 Viktor Jushenko miratoi ligjin, sipas të cilit Holodomor konsiderohej i provokuar nga aktet politike. Me 23 tetor 2008 Parlamenti evropian miratoi rezolutën për dënimin e Holodomor si krim kundër Ukrainës e kundër njerëzimit. Në kohën e Stalinit ukrainasit konsideroheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe u mohohej identiteti kombëtar. Gjatë Luftës II Botërore humbjet e Ukrainës llogariten 5-8 milion.

Më shumë se 700 qytete e qyteza dhe 28.000 fshatra u shkatërruan nga avancimi i parë nazist dhe kundërofensiva e U.Kuqe. Në Kharkov e Odesa u rrafshuan qendra industriale, diga, centrale elektrike. Në Kiev, Karson, Çernigov u shkatërruan monumente antike. Kievi u pushtua nga nazistët më 6 nëntor 1943. U shpall Qytet Hero. Mbi gjysëm milioni hebrenj u vranë nga nazistët. Masakra më famëkeqe u zhvillua ndaj hebrenjve në afërsi të Kievit me 29-30 shtator, kur u vranë 33.771 njerëz. Pas luftës mbi 200.000 tatarë të Krimesë u dëbuan. Turgeniev: “Të vërtetat e pathëna kthehen në helme”. Kujtesa historike e fatkeqësive në të kaluarën sjell vërtetësi e mësim historik për sot, e për të ardhmen.

Historia tragjike e krimeve çnjerëzore vazhdon, derisa mizoria të marrë dënimin që meriton, ashtu siç janë dënuar krimet e nazizmit. “Operacioni special” i Putinit vijon. Numri i viktimave rritet çdo ditë, po ashtu edhe numri i ndërtesave, shkollave, spitaleve, objekteve kulturore që kthehen në gërmadha. Papa Françesku e konsideron “turp e çmenduri rritjen e buxhetit për armatimin dhe bën thirrje për ndalimin e luftës, që është akt barbar e sakrilegj dhe që rrezikon të shuajë njerëzimin”. Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kirill ka për kishën vizionin imperialist që ka Kremlini në politikë e nuk e dënon agresionin”-thuhet.

U sollën të dhënat e mësipërme historike për të kaluarën e Ukrainës, në raport me regjimin diktatorial sovjetik para, gjatë e pas L.II botërore, por edhe krimet që po ndodhin para syve të të gjithë opinionit botëror aktualisht, për shkak të regjimit diktatorial oligarkik putinian. Vlen thënia e Mandelstam: “Duhet luftuar kundër harresës, edhe me koston e vdekjes”. Megjithatë shembujt e heroizmit ukrainas na bindin që diktatori rus do të dështojë me turp. Skakun Volodymyrovich u ofrua vullnetarisht në një mision antirus. U hodh në erë për të penguar mjetet e blinduara ruse që vinin nga Krimea.

Irena Derusova, që ditën e parë të luftës u impenjua si mjeke ushtarake e kampit në qytetin Okhtyrka. Shpëtoi jetën e 10 ushtarëve ukrainas dhe fatkeqësisht u vra nga goditjet e ushtrisë ruse. Sergiy Kotenko, kolonel batalioni, u vra duke dërguar ilaçe e ushqime në Nikolajev. Koloneli Yevgen Bondar u godit në fytyrë e në këmbë nga një predhë tanku rus, por u kthye përsëri për të luftuar, për të mbrojtur qytetin Huliapole, rreth 70 milje në VP të Mariupolit, ku u dogj nga një kolonë tankesh ruse. Snajperisti Aleksandër Pavlenko u plagos nga bombardimi rus. Shembujt janë të panumërt.
Ndërkohë në Rusi ka mjaft protesta dhe mijëra të burgosur. Gjatë një proteste në Moskë kundër luftës në Ukrainë, nëna e një ushtari rus, ndërsa tregon foton e të birit në telekamera, i kërkon Putinit: “Ndaloni gjakderdhjen! Ma ktheni birin tim! Shikojeni: Është fëmijë. Lufton e nuk e di përse”. Kujtoj poetin, gazetarin, kritikun letrar e përkthyes, gjithashtu ukrainas, Vasil Stus, i cili kreu 23 vite burg politik, me punë të detyruar në minierë. Më 1978 i kish shkruar presidentit të Sovjetit Suprem të BS: “Kërkoj të më hiqet shtetësia sovjetike. Për mua të jesh shtetas sovjetik do të thotë të jesh skllav”.
Pas grevës së urisë, vdiq më 4.9.1985. Hero i Ukrainës. Disidenti tjetër Leonid Pliuchtch u mbajt i mbyllur 3 vjet në një azil psikiatrik, ë kohën sovjetike. Në Ukrainë, pas lufte, kultura, arti, letërsia e gjuha pësuan represione të rënda nga ndërhyrja e Moskës. Por diktatura nuk e ka mposhtur popullin ukrainas; vetëm ia ka shtuar urrejtjen. Kujtime plot dhembje, gjatë shumë dekadave, janë gdhendur në lëkurën e ukrainasve. Duke kërkuar që arti të jetë “proletar”,siç thonte Lunaçarski, apo “letërsi e partisë”, siç e kërkonte Lenini, sh. Enver e shprehte më qartë: “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të partisë, për edukimin komunist të masave”.

Por arti i vërtetë nuk i ka pranuar 5 prangat e realizmit socialist. A.Sinjavki:”Realizmi socialist është metoda e letërsisë së komanduar që synon të mbulojë të vërtetën, thelbin shtypës të regjimit”. Arti i vërtetë prodhon oksigjen lirie; është kambanë alarmi, kur liria mungon. Gjatë agresionit aktual rus, Serhij Zadan, shkrimtari më i njohur ukrainas jashtë vendit në romanet e tij ka shkruar për identitetin dhe origjinën e lashtë të Ukrainës, emri i së cilës shfaqet që në sh.XII. Zadan është në Kharkivin e bombarduar, në rrugët me gërmadha, për të evakuar civilët e për të shpërndarë ndihmat humanitare.

Më 2017 ka publikuar romanin “Konvikti” ku tregon për 3 ditë të luftës në Donbas. Viktoria Amelina, shkrimtare, në romanin e saj reflekton për luftrat e kaluara dhe pasojat në jetën e tanishme të ukrainasve. I është kushtuar administrimit të refugjatëve. Shërben për lidhjen e vullnetarëve nga jashtë, me ata të Leopolit, që merren me ushqimet, veshjet dhe ilaçet e refugjatëve. Aleksej Nikitin, me gjuhë nëne rusishten, thotë: “Flas rusisht, urrej Putinin”. Ka shkruar për Kievin e viteve 80. Një rol të rëndësishëm luajnë edhe shkrimtarët në frontin e komunikimit.
Shkrimtarja e regjisorja Iryna Tsiluk në një film tregon jetën e një familjeje që jetonte pranë vijës së frontit. I shoqi, shkrimtari Artem Cekh, ishte vullnetar në 2014, tani është rezervist. Në frontin e informacionit punon dhe Volodymyr Yermolenko, filozof, eseist. Me të punon dhe e shoqja Tatyana Ogarkova, filologe, kritike letrare, përkthyese nga frengjishtja. Në shtëpinë e tyre është një sallë e vogël shtypi, për të komunikuar me gazetarët e huaj.
Yarina Possamai, filologe, shkrimtare, gazetare, docente e gjuhës dhe letërsisë shkruan: “Ukraina në antikitet quhej Ruteni e gjuha e saj rutenisht. Gjuha ukrainase është gjuhë sllavo-lindore, si ajo bjeloruse e si rusishtja. Sigurisht të tria kanë një rrënjë të përbashkët, por secila ka ndjekur rrugën esaj, në varësi të fenomeneve shoqërore, historike e kulturore”. Në 2019 Parlamenti ukrainas miratoi ligjin, sipas të cilit e vetmja gjuhë zyrtare në Ukrainë është ukrainishtja. Shkrimtarët e mëdhenj janë profetë, vizionarë.

Edhe ne kemi profetët tanë. Ndër ta po veçoj Migjenin e Kadarenë, vepra e të cilëve, për mesazhet universale që përcjell, çmohet në botë, por besoj se vlen edhe për të kuptuar situatën e sotme në Ukrainë. Te “Idhujt pa krena” thuhet: “Ata që kishin lindun para se të shembeshin idhujt…tash rënkojnë, psherëtijnë dhe, tue vdekun, shpresojnë se idhujt e vjetër do t’i shpëtojnë. Çdo gja që s’ka krye, asht kufomë. Kufoma do varrosë. Përndryshe e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale”. V.Martin: “Komunizmi vdiq, por funerali nuk u krye”.
Dhe tash demokracia totalitare, e shartuar me mendësinë komuniste, ka sjellë një hibrid të dëmshëm, oligarkinë që ka zëvendësuar ish byronë politike. Ndërsa Putini që ka si model Pjetrin e madh, nuk e ka lënë bosh vendin e Carit dhe as të Leninit, i cili përmes grushtit të shtetit më 7 nëntor 1917, skicoi portretin e diktatorëve komunistë. Migjeni në gojën e personazhit të tij, Filipit ka vënë fjalët: “Po çudi asht puna e këtyne bolshevikëve. Si njerëz të egjër ishin”. Mihail Khodorkovsky, ish oligark rus thotë: “Putini dikur njihte ca kufij. Por në thelb mbetet po ai. Ka mentalitetin e një eksponenti të krimit të organizuar”.

Sa më i madh kulti i sunduesit, aq më e pakët është liria. Arti i Migjenit kërkon çmitizim, përmbysje idhujsh, emancipim, si bir i vuajtjes e dyshimit, por dhe optimizmit rinor e intelektual, që urren “lojën e përgjaktë të historisë, kur dheu qe kafshatë e huej”. Mesazhet e tij nuk kanë kufij kohorë e gjeografikë. Vlejnë edhe për Ukrainën e sotme, që e sheh të ardhmen e vet drejt Perëndimit: “Dielli do të ndrrojë rrugën, ka për t’u lindë nga perëmdimi”.
Migjeni ngrihet edhe kundër artit që mbron Parinë diktatoriale: “Vendimi i Parisë së shtetit x ishte ky: Me anë të artit të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasve. Art i frymëzuem e i punuem simbas recetave të Parisë. Ishte triumf i vërtetë i recetës, i artit me qëllim”. Jam befasuar, kur kam lexuar konsideratën e drejtuesit të emisionit me emërtimin absurd “Gavarit Maskva” (jJu flet Moska), për Migjenin. Besoj që është i vetmi në rruzull që mund të shprehet kështu: “Migjeni- plagjiator i rëndomtë i Majakovskit, me bindje filozofike fashiste e naziste, që adhuronte Niçen”. Është në një linjë me akuzën putiniane për denazifikimin e ukrainasve.

Kombi është bashkësia e individëve të lidhur nga e njëjta gjuhë, histori, territor, ekonomi, tradita, qytetërim, kulturë, art e letërsi. Kadare te “Pashallëqet e mëdha” analizon doktrinën e shfarosjes së kombeve nga perandoria otomane, por nënkupton edhe perandoritë e tjera, të cilat u shpërbënë. Ai shkruan: “Zhdukja e kombeve kalon në 5 faza: 1. Zhdukja e rebelimit. 2. Zhdukja e idesë së rebelimit. 3. Zhdukja ose gjymtimi i kuturës, artit, zakoneve. 4. Zhdukja ose dëmtimi i gjuhës. 5. Zhdukja ose dobësimi i kujtesës kombëtare”. Nulgjuha e Nulkujtesa zhvillohen paralelisht.
“Qëllimi kryesor i doktrinës militariste është “arritja” e Nulbytynit, pra fshirja e kombit. Thelbi i tij: kthimi i një vendi nga atdhe në truall”. Doktrinën neo- otomane të fshirjes së kombit, Cari i sotëm, që do të ringrejë perandorinë komuniste sovjetike, e ka shprehur qartë në esenë e tij “Mbi unitetin e rusëve dhe ukrainasve në histori”. Aty shkruan: “Ukraina nuk mund të ekzistojë si shtet i pavarur”. Sa më shumë avancon në pushtimin, bombardimin dhe shkretimin me zjarr, raketa e tanke në Ukrainë, aq më pas kthehet në histori oligarku komunist, duke i vënë Rusisë një njollë turpi, ndoshta për shumë kohë.

Te “Muzgu i perëndive të stepës” besoj, është fjala për diktatorët e kuq. Aty jetën në Moskë Kadareja e quan “jetë të ngrirë e sterile”. Dhe vijon: “KQ të tëra të zëvendësuara, luftë e tmerrshme për pushtet. Kufoma udhëheqësish, të djegura natën në fshehtësi. Njerëz të shquar që kishin vrarë veten. Komplote e prapaskena. Asgjë nga këto në faqet e romaneve e dramave. Makina e popagandës shtetërore punon pa ndërprerje. Një e gjashta e botës nën shpifje kundër B.Pasternakut që kish marrë çmimin “Nobel” .E.Sabato: “Nuk ka diktaturë të mirë, demokraci të keqe po”.
Ndërsa te “Dimri i vetmisë së madhe” Kadare shkruan: “Uniteti i Bllokut Komunist. Ishte ajo e çara, plaga që do të shkaktonte mbytjen e “Titanikut”. Requiem (lutje për të vdekurin) për unitetin”. Pas shkatërrimit politik, do të vinte më pas dhe vetasfiksimi ekonomik i kampit socialist. Asnjë personazh i realizmit socialist, madje figura groteske, të dehur, të paekuilibruar…Zhgënjim e pesimizëm. Edhe figura e E. Hoxhës jepet e vetmuar dhe gjithnjë e menduar… Ishte Operacioni i Dimrit. Të gjithë iknin, të ndjekur nga gjermanët: fshatarë, mbeturina batalionesh partizane të shpartalluara”…

Deheroizim i plotë. Realitet zhgënjyes, depresiv. Shefi kuadrit, Raqi që ka nëpër duar fatet e njerëzve, pas arrestimit të ish ministrit të brendshëm, priste trokitjet e Sigurimit natën. Lexojmë më tej: “Ashtu si kapitalizmi krijon varrmihësin e tij, proletariatin, socializmi krijon varrmihësin e tij, inteligjencën. Në Beograd ka një rrugë me emrin e Koçi Xoxes.Tani K.Xoxe dergjet diku në periferi të Tiranës, pa varr, pa obelisk. Një grusht baltë dhe eshtra, të përziera me breshërinë e plumbave të skuadrës së pushkatimit. Viti 1947 ishte vit i zi, kur njeriu i shkurtër terrorizonte shtetin e përpiqej të vihej mbi Partinë. N. Spiru “vetëvritej”, si antijugosllav, ndërsa K.Xoxe pushkatohej si projugosllav.
“Revolucioni është si Saturni që ha bijt e vet plangprishës. Socializmi është lufta e të aftëve me të paaftët, ku të aftët lodhen të parët. E.Hoxha nuk i njihte më disa prej kuadrove. Ata i suleshin me tërbim revolucionit dhe shtetit për ta përvetësuar atë. Ai propozonte metoda të vjetra, vitin 1947. Lufta e klasës punëtore me burokracinë është tragjike. Në këtë luftë klasa punëtore mund të pësonte disfatë… Ata tundnin me zemërim grushtet, letrat, citatet e Leninit e të Marksit. Ishte një pamje e vjetër, si e çdo krimi”.

E.Hoxha-Mikojanit: “Ju guxuat të na bënit kërcënimin e urisë”. Andropovit: “Ju keni thënë se një bombë mjafton për ta bërë shkrumb e hi Shqipërinë”. Shoku Hrushov u ka thënë kinezëve: “Ne e humbëm Shqipërinë, ju e fituat atë”. “Bllokada do të jetë e plotë, e pamëshirshme, mesjetare. Do të ketë vallë agresion?” Janë shfaqur mjaft filma për krimet e nazizmit, por edhe lidhur me përpjekjet mbinjerëzore për të kaluar Murin e Berlinit, si “Tuneli”,”Balona” etj. Ndarja e Koresë sa tragjizëm ka prodhuar! Në pamundësi për ta marrë krejt Ukrainën, Putini po përpiqet ta ndajë edhe Ukrainën me “Murin e Dnieprit”.

Po parafrazoj fjalët e Kadaresë në fund. Mendoj se janë mjaft domethënëse për situatën e sotme në Ukrainë: “Barbarët na goditin, na detyrojnë të egërsohemi. Në ditët e rënda të këtij dimri, populli heroik i Ukrainës po e duron goditjen. Humbjet e bëjnë disa herë më të madh një popull”.

Shpëtim KODRA
Studiues