Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Financave në lidhje me projektin Orikum-Vlorë për të cilën si Presidenca dhe qeveria fajësojnë njëra-tjetrën për bllokim të punimeve.

Në një letër të gjatë dërguar ministres, Meta thotë se pavarësisht takimeve që ka kërkuar ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, “asnjë takim nuk mund të ndreqë paligjshmërinë e një procesi, që duhet të plotësohet vetëm dhe vetëm mbi bazë aktesh shkresore”.

“Sa i takon vlerësimit tuaj në shkresë ku citoni shprehimisht se, “bazuar në interpretimin sistematik të procedurave të parashikuara nga ligji 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, procesi i negocimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare financiare, nuk është një proces i detyrueshëm për t`u ndjekur”, konstatojmë se ky qëndrim juaji vetëm sa referon në ligjin nr. 43/2016, por pa mundur të evidentojë dot asnjë dispozitë konkrete ku mbështetet ky qëndrim”, sqaron Meta.

Meta shpreh keqardhjen e tij për mënyrën se si Ministria e Financave dhe Ekonomisë arrin në këto konkluzione duke qenë se është institucioni kryesor që përgjigjet ligjërisht për financat e vendit, përfshirë dhe menaxhimin e borxhit, dhe që duhet të ndjekë me rigorozitet procedurat e kërkuara nga ligji.

“Legjislacioni në fuqi kërkon respektimin rigoroz të procedurave, me qëllim ruajtjen e interesit shtetëror dhe bërjen transparente të çdo procedure të ndjekur”, thotë Meta.

Sipas Metës, qeveria ka shmangur dhënien e shpjegimeve përpara Presidentit për të mbuluar çdo paligjshmëri që mund të jetë kryer në këtë proces për financimin e një projekti me shumë impakt publik.

“Qeveria shqiptare, ka ndryshuar draftet e marrëveshjeve dhe ka keqorientuar edhe kredidhënësin, duke nënshkruar këto marrëveshje huaje në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”, thotë Meta.