Kreu i PAA-së, Agron Duka, ishte i pari nga liderët e partive të vogla që firmosi marrëveshjen me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Renditja në një nga 3 vendet e para të listës së kandidatëve të qarkut të Durrësit i garanton thuajse automatikisht një mandat deputeti, por për Dukën kjo nuk nënkupton se ai nuk do të bëjë fushatë, qoftë në qarkun ku kandidon, qoftë edhe në qarqet e tjera ku PAA do të përfshijë në listën e PD-së kandidatë të saj.

“Krahas Durrësit, qarqet ku ne do të tentojmë më shumë me kandidatët tanë janë Fieri, Tirana dhe Shkodra”,- thotë Duka gjatë një interviste për “DurrësLajm”.

Megjithëse me 4 vite më shumë mbi shpinë krahasuar me fushatën e vitit 2017, ku punoi fort por nuk mundi të siguronte një mandat deputeti, Duka është i bindur se zgjedhjet e 25 prillit nuk mund të fitohen nga opozita e bashkuar vetëm duke u bazuar në pakënaqësinë popullore ndaj qeverisjes së Ramës.

“Nuk mundet të rrëzohet qeveria Rama thjesht dhe vetëm me konsumimin e pushtetit të tij, por duhet patjetër që ne të ngremë një frymë, të punojmë derë më derë, të takojmë njerëzit, t’i bindim ata dhe t’u krijojmë shpresën për një qeverisje më të mirë pas 25 prillit”,- deklaron kreu i PAA-së.

Zgjedhjet e 4 viteve më parë në qarkun Durrës u shoqëruan me akuza për manipulime dhe blerje votash, por për Dukën ky fenomen mund të jetë më i minimizuar në zgjedhjet e 25 prillit për shkak të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe vëmendjes së shtuar ndërkombëtare mbi procesin në tërësi.

“Të fortët nuk po duken në skenë edhe për shkak të Kodit të ri Zgjedhor që shton penalitetet ndaj tyre. Duke qenë se zgjedhjet do të jenë në fokusin edhe të ndërkombëtarëve mendoj se do të jenë më të “pastra””,- thotë kreu i PAA-së, por nga ana tjetër, njësoj si Basha një ditë më parë, ai ngre akuza në drejtim të drejtuesit politik të PS në Durrës, Adrian Çela.

“Adrian Çelës nuk i trembem, kush është ky, nuk e njoh. I trembem vetëm korrupsionit. Me çfarë pune është marrë ky?Mos të zgjidhi qesen e parasë publike për të marrë vota, sepse kemi për ta ndjek këmba këmbës. Nëse ai do të tentojë që me para të marra nga institucionet publike të vjedhë votat e durrsakëve dhe të shtrembërojë rezultatin përfundimtar, ne do të bëjmë ç’është e mundur që ta penalizojmë këtë person”,- deklaron Duka.

I pyetur nëse beson në triumfin e opozitës në zgjedhje, politikani Duka shprehet optimist për fitoren e koalicionit ku bën pjesë.   

“Rezultati përfundimtar nuk do të jetë spektakolar, por do të jetë në favor të opozitës”, thotë ai.  

Në ndryshim nga 4 vite më parë, skakiera politike në Durrës ka pësuar ndryshime, pas shkëputjes së Lefter Kokës dhe figurave të tjera nga LSI dhe radhitjes së tyre përkrah PS-së.

Duka ia njeh meritat Kokës për një numër të konsiderueshëm votash personale që ai ka arritur të grumbullojë në çdo fushatë zgjedhore, por nga ana tjetër kreu i PAA-së sheh si faktorë negativë tek PS humbjen e besimit të qytetarëve dhe largimin e shumë figurave të njohura që për vite me radhë kanë kontribuuar për ngritjen dhe forcimin e degës lokale të PS-së.

“Është e vërtetë që Lefter Koka ka treguar që mbledh vota individuale në Durrës, por nuk besoj që populli durrsak do të besojë kauzën e tij. PS ka humbur besimin e qytetarëve durrsakë për t’i besuar edhe një tjetër mandat. Prandaj nuk besoj se votat e Kokës do të ndikojnë për të ndryshuar kahun e rezultatit final”,- thotë kreu i PAA-së.

“Në Durrës vihet re një zhgënjim i madh i socialistëve të vërtetë. Kemi një ndarje të Rilindjes me socialistët e vërtetë. Ku është Gazmir Bizhga, një nga themeluesit e degës së PS Durrës? Nuk e shoh. Ku është Bardhyl Agasi? Ku është Miri Hoti apo shumë të tjerë që kanë kontribuuar për Partinë Socialiste? Këto mungesa do të jenë një penalitet i madh dhe një votë kundër Rilindjes”,– vijon më tej ai.

Duke u ndalur tek problematikat e Durrësit, të cilat shihen nga politikani Duka si pikat e forta ku mund të përqendrohet fushata elektorale, ai rendit disa prej tyre si përmbytja e vazhdueshme e qytetit, betonizimi, mungesa e hapësirave të gjelbërta etj.

Kreu i PAA-së beson se fushata e opozitës së bashkuar do të përqendrohet tek goditja e fenomenit oligarki që i ka sjellë shumë dëme vendit me PPP-të, ofertat e pakërkuara, konçesionet etj, ndërsa pikë kryesore tek fushata e Agraro-Ambientalistëve në zonat rurale do të jetë subvencionimi direkt i produkteve bujqësore për t’i bërë produktet tona konkuruese me prodhimin e vendeve të rajonit.

M.B.