Furia e dallgëve të detit në ditët me mot të keq ka lënë pas dëmtime të shumta në bankinën e drunjtë në shëtitoren “Taulantia”, pranë Sfinksit.

Panorama nuk është e panjohur për qytetarët e Durrësit, që e frekuentojnë rregullisht shëtitoren. Dëmtimet përsëriten çdo vit dhe gjithnjë në prag të nisjes së sezonit veror. Pamjet filmike të xhiruara nga operatori Sokrat Toçi kjo bankinë nuk ka nevojë për shumë koment.

Bashkia ndërhyn çdo vit për zëvendësimin e dërrasave të kalbura, por situata përsëritet sërish sapo nisin afrojnë muajt e dimrit.

Afërsia që kjo bankinë ka me bregun e detit, e bën jetëgjatësinë e saj shumë të shkurtër.

Zgjidhja që ka bërë bashkia vite me parë me ndërtimin e bankinës së drunjtë shumë afër detit, nuk është më optimalja e mundshme.

Tani për tani bankina ka nevojë urgjente për ndërhyrje, por gjetja e një zgjidhjeje më afatgjatë për të siguruar jetëgjatësinë e saj duhet të jetë në fokusin e pushtetit vendor.

M.B.