Zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka folur ditën e sotme pas mbledhjes së qeverisë nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për biznesin e vogël dhe familjet me pak të ardhura. Ahmetaj tha se nëse harxhimi është nën 700 kilovatë atehërë nuk do paguajnë as një cent më tepër.

Ai theksoi në deklaratë për mediat se familjet që bëjnë një harxhim të kapacitetit të lartë do të thotë se kanë më shumë të ardhura dhe se qeveria do t’i trajtojë ndryshe.

“Pyetja juaj më jep mundësi të shpjegoj se nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për biznesin e vogël dhe familjarët. Në konceptin kush fiton më pak do paguajë më pak, ato familje që shpenzojnë 700 kw e sipër do paguajnë më shumë. Ata që shpenzojnë nën 700 nuk u ndryshon çmimi.

 Ato familje që kanë shumë më shumë të ardhura, shpenzojnë më shumë. Jemi duke folur për 700 e sipër ku kapaciteti është shumë më shumë se kapaciteti i nevojshëm. Këto familje do trajtohen me progresivitet. Për bizneset nëse ne ato rreth 7500 sipërmarrje të tensionit të ulët do i kishim lënë në mëshirë të tregut do paguanin 34 lekë, sot paguajnë 18 lekë. Sepse qeveria ka bërë ndeksimin e çmimit për të mos i lënë në mëshirë të fatit. Qytetarëve të këtij vendi që kanë të ardhura masatare dhe shkojnë te tavani 700 nuk do u rritet asnjë cent. Edhe për 7500 bizneset të tensionit të mesëm do i subvencionojmë në një nivel tjetër”, tha ai.