Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi është shprehur se është gati të përfshihet në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri që do të zëvendësojë Ilir Metën.

E ftuar në “Pikat mbi i”, Kryemadhi tha se ajo vetë nuk ka 28 firma dhe për rrjedhojë nuk mund të propozojë asnjë kandidat, kështu që zgjidhja është të përfshihet në procesin e nisur.

Bojkotimi sipas saj është t’ia lësh në dorë kryeministrit Edi Rama zgjedhjen e Kreut të Shtetit. 

“Unë po të kisha 28 firma në parlament për të propozuar një kandidat në Parlament unë do ta propozoja një kandidat për president. Unë nuk i kam, kam 4 firma. Zoti Alibeaj i ka 28 firma, dhe mund të propozojë një kandidat të opozitës. Kjo është një përfshirje në proces. Përfshirja në proces nuk është që të jesh ushtar i Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit.“, u shpreh Monika.