Ky është një nga arrestimet në flagrancë të burrave dhunues.
Me ndërhyrjen në kohë, policia e Durrësit bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës, pasi bashkëshorti dispononte edhe armë zjarri në banesë, duke i rrezikuar kështu jetën gruas së tij.
Shefi i komisariatit të Durrësit, Vilson Bala deklaron për “DurrësLajm” se njoftimi në kohë i strukturave të rendit është determinant në raste të ngjashme.
“Në vitin 2021 kemi pasur 3 raste, ndërsa në 3-mujorin e parë të këtij viti 2 raste kur situata mund të kishte precipituar dhe të ishte kthyer në fatale për viktimat e dhunës në familje. Falë njoftimit në kohë dhe ndërhyrjes së shpejtë kemi arrestuar personat dhunues”,- tha Bala.
Sipas Balës, secili nga ne duhet të luajë një rol aktiv, kur ndeshet me raste të dhunës në familje, edhe kur nuk është i përfshirë në vetë të parë në konflikt. Vetëm kështu, puna e efektivëve të Policisë së Shtetit mund të jetë më efikase.
E ndërsa në perceptimin publik periudha me rastet më të shumta të dhunës në familje mendohet se janë muajt e karantinimit në shtëpi për shkak të pandemisë Covid-19, shefi Bala e hedh poshtë këtë tezë.
Sipas tij, referuar statistikave të dhunës në familje për rrethin e Durrësit, 3 mujori i parë i këtij viti rezulton periudha më e ngarkuar me denoncime.
“Gjatë këtij 3 mujori kemi 55 raste të evidentuara të veprës penale të dhunës në familje dhe 102 raste të përpiluara të urdhrave të menjëhershëm të mbrojtes”, thotë ndër të tjera ai.
Në ndryshim nga vite më parë, kur kishte hezitime, sidomos nga gratë e vajzat, për denoncimin e dhunuesve të tyre situata tashmë është shumë më ndryshe.
Fakt pozitiv është se gjithnjë e më shumë viktimat e kësaj dhune priren t’i drejtohen komisariatit të policisë për të kërkuar ndihmën e efektivëve dhe më pas gjykatës për pajisjen me urdhër mbrojtjeje.
K.Gj.





