Teuta kërkon fitoren e dytë radhazi kundër Kukësit. Kjo ndeshje do të zhvillohet të premten në stadiumin “Niko Dovana”. Ky duel merr rëndësi për durrsakët, sepse Egnatia e vendit të tetë është vetëm dy pikë larg dhe rrezikon shumë zbritjen në vendin që të çon në ndeshjet “play out” për rënien. Rubin Hebaj shprehet optimist se Teuta do të ngjitet lart në renditje. Ai shprehet se ndeshja me Kukësin duhet të konsiderohet si beteja e radhës për faktin e vetëm se është një kundërshtar i fortë, por edhe fitorja vlen dyfish.

Sa vlera merr fitorja ndaj Dinamos duke parë situatën ku ndodheshit?

Jemi të kënaqur me paraqitjet që kemi bërë si skuadër në ndeshjen ndaj Dinamos. Kemi marrë pikët dhe kemi bërë ndeshje mjaft të mira, përveç 20 minutave të pjesës së parë. Më pas ekipi mori gjithçka nën kontroll dhe arritëm të fitonim. Pra, këto rezultate dhe kjo ecuri na japin shpresë për të arritur akoma më lart në renditje.

A është vendimtare përballja ndaj Kukësit?

Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar i fortë dhe një fitore do të na afronte edhe më shumë me objektivin, pasi diferenca do të shkurtohej. Pres një ndeshje të vështirë, sepse Kukësi ka një ekip të mirë, me elementë cilësorë. Gjithsesi, ne nuk kemi rrugë tjetër përveç fitores, sepse ndryshe rrezikojmë shumë.

Ju kënaq një pikë ndaj verilindorëve apo synoni me çdo kusht fitoren?

Ne kërkojmë maksimumin, megjithëse jemi të vetëdijshëm për vështirësinë. Por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim ndaj Kukësit.

Keni një kalendar të vështirë në vijim. Me sa pikë do të ishit të kënaqur në tri sfidat e radhës ndaj Kukësit, Tiranës dhe Egnatias?

Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjata. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është më se normale. Duhet të marrim më të mirën në përballjen e radhës ndaj Kukësit. Normalisht, nëse do të fitonim kundër Kukësit, do të rritet akoma më shumë kërkesa në ekip.

Ndeshjet që vijnë bëhen gjithnjë e më delikate. A i përballon Teuta?

Për ne nuk ka rëndësi kush është përballë, ajo që vlen është që të futemi në çdo ndeshje për të marrë pikët e plota. Në çdo takim duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Teutës, atë që presin të shohin të gjithë. Ekipi është përgatitur për të treguar maksimumin e vet dhe për të dhënë 100%.