Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, i cili sot zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë është shprehur se Shqipëria nuk ka lënë asnjë detyrë pa përmbushur dhe BE duhet të hapë negociatat me vendin tonë.

“Kjo nuk është një çështje që lidhet me çfarë kemi bërë ne apo nuk kemi bërë ne Shqipëria, por lidhet me ngërçin e krijuar nga Vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut”.

Por Kryeministri bëri të ditur se nëse negociatat nuk hapen në Qershor, atëherë Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, e cila ka problem me Bullgarinë.

“E informova dhe me faktin që ne e kemi kryer këshillimin me qytetarët shqiptarë që nëse do ishin dakord me rastin që pas 6-mujorit të përfundimit të presidencës franceze gjendja mbetet e pandryshuar, Shqipëria të ndryshojë kursin dhe të kërkojë haptazi ndarjen nga Maqedonia e Veriut. Por kjo mbetet për t’u përcaktuar si qasje pas kësaj mbledhje të Këshillit të Europës”.

“Komisioneri më ka konfirmuar sot dhe ka qenë mbështetës i përfshirjes së Korridorit të 8 në rrjetin evropian, por pas këtij udhëtimi nga Shkupi në Tiranë me makinë është edhe më i bindur që kjo është gjëja e duhur”.