Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur ditën e sotme shkarkimin e prokurorit të Durrësit, Arjan Ndojës.

Prokurori Ndoji u shkarkua me unanimitet të plotë nga trupa pjesëmarrëse në veting, e cila përbëhej nga gjyqtarët Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Më 29 prill u zhvillua seanca e Ndojës në KPK, pasi Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) kishte konstatuar se Ndoj gjatë ushtrimit të detyrës ka favorizuar persona me precedent penal.

Dyshohet se në vitin 2009 dhe 2010, Arjan Ndoj ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt prone.

Arjan Ndojës i ishin kontrolluar nga vettingu vetëm figura dhe aftësitë profesionale, për të cilat konsiderohej nga DSIK me lidhje të papërshtatshme në krim dhe me vendime të ndikuara nga biznesi.

Si provë iu soll emri i Aleksandër Lahos, thënë ndryshe “Rrumi” që gjendej në të njëjtën makinë me të cilën po udhëtonte në 2019-n Ndoja, kur iu bë atentat dhe mbeti i plagosur shoferi i tij Andi Maloku. Por Arjan Ndoja kundërshtoi duke kërkuar prova dhe përgjime që vërtetojnë kontaktet me njerëz të krimit, ndërsa për Rrumin prokurori tha se nuk kishte informacione për të kaluarën e tij.

Ndoja akuzoi se prej makinës nga ku doli i plagosur nuk u gjetën dosje të zhdukura, por dosje private të një avokati, për të cilat i kishte treguar shoferi që u vra në atentat.
Më herët gjatë parashtrimit shkresor prokurori tha se ky atentat erdhi për shkak të presioneve të ekzekutivit.

Përplasja me përfaqësuesin e ONM-së

Përfaqësuesi i ONM ka ngritur dyshimet e tij me pyetjen përse Ndoj u rikthye si prokuror në vitin 2008, pasi në deklaratën e tij, “thonit se fitonit 250 mijë euro në vit si avokat”.

“Meqenëse kam te drejtën të ndaj opinionin tim me ju, kur përgatitesha për seancën po mendoja nëse do doja të kisha një prokuror si ju. Po ta them qartë: Jo ! Kur ju u rikthyet në 2008 mbasi ishit pezulluar për disa vite kam kontrolluar deklaratën tuaj dhe ju në atë kohë deklaronit se fitonit 250 mijë euro në vit si avokat.

Nuk e di se sa gjyqtarë nga 2005 deri në 2007 fitonin po aq sa ju? Shumë gjyqtarë do të kishin qenë të lumtur nëse do fitonin sa ju. Unë pyes pse ky individ do dojë të jetë prokuror kur krahasuar me pagën e prokurorit që fitonte 1 të dhjetën që ju fitonit si avokat?

Ju thoni që u bëtë prokuror sepse donit t’i shërbenit vendit dhe doni të kapni kriminelë. E di nga ky proces , por ju nuk jeni një prej tyre. Arsyeja e dytë ju lëvizni nën shoqërinë e personave te gabuar dhe kjo nuk do të thotë që ka lidhje me hetimet tuaja, por sidomos në Shqipëri këta persona që nuk janë dënuar, kjo është një përgjigje në një kontekst shqiptar”.

Për t’i dhënë përgjigje përfaqësuesit të ONM, prokurori Ndoj tha se titullin e magjistratit ai e ka fituar me mund.

Për dyshimet mbi pasurinë e tij, Ndoj tha se “është e ligjshme”.

“Do bëj sqarim unë kam deklaruar 150 mijë euro të ardhura në vit si avokat dhe jo sa thatë ju. Titullin e magjistratit e kam fituar me shumë mund dhe djersë dhe u riktheva në punë pasi humbisja titullin për të cilin kisha luftuar gjithë jetën. Unë nuk u përkas revolucionarëve, por fakti që kam të ardhura të ligjshme është zgjidhja ime që u bëra prokuror.

Ky koment që bëni ju sepse unë i plotësoj kushtet ligjore dokumentare për prokuror. Ndjej keqardhje kur thoni 60% e prokuroreve nuk i përmbushin kushtet. S’kam asnjë kompleks inferioriteti të përballem me Theo Jacobs në nivel ekspertize, përvec moshës.

Mendoj se po te kishim punuar bashkë do kishe patur perceptim tjetër dhe ndryshe dhe jo kaq sipërfaqësor. Shkoni pyesni njerëzit se njerëzit na njohin.

Fakti se ky sistem s’ka dënuar ca nuk është argument që përdoret ne kete panel. Po them dhe diçka tjetër, në asnjë vend të botës nuk gjykohen gjyqtarët dhe prokurorët per vendimet e tyre, por per shkaqet dhe parimet. Kjo që thoni ju jane biseda kafesh” – u shpreh prokurori Ndoj.