Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se nuk është i shqetësuar se përballë tij në garën për kreun e PD-së nuk ka asnjë rival.
Berisha tha se i ka bërë gati dokumentet për kandidimin e tij, që në fakt më shumë do të ngjajë me një referendum nëse demokratët do të votojnë pro apo kundër tij.
Lideri historik i demokratëve u shpreh se nuk do të shpikë rivalë siç bën Edi Rama.
Pyetje: Nesër skadon afati i aplikimeve, a ju shqetëson fakti që s’keni kundërshtarë?
Berisha: I kam plotësuar dokumentat. Do t’i dorëzoj e do t’u drejtohem shqiptarëve në mënyrën më besimplotë se kandidoj si dëshmi e respektit e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre. Nuk pajtohem me situatën që shqiptarët janë shndërruar në një komb që lindin fëmijë për emigracion. Do të jem lider referndar, i zgjedhur me referendum popullor, nuk ka garë më të fuqishme se kjo. Nëse të tjerë nuk marrin përsipër të kandidojnë për arsyet e tyre, i garantoj për një garë të ndershme e transparente. Nuk jam Edi Rama që shpik rivalë. Mbetet referendumi, më 22 maj në qoftë se zgjidhem me një referendum të mbarë demokratëve, nëse nuk zgjidhem i nënshtrohem verdiktit të tyre.





