Bashkia e Shijakut në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizime Durrës (Sektori Shijak) kanë përfunduar investimin për rrjetin e ri shpërndarës të qytetit. Është lagjja “Kodër” që është furnizuar e para, ndërkohë që më herët specialistët e Ujësjllësit kanë bërë edhe testimin e linjës. Investimi në fjalë është 331.6 milion lekë dhe përvec rrjetit të ri të furnizimit të qytetit Shijak, përfshin edhe rikonstruksionin e depos së Shilores.
Ky investim është mundësuar falë kujdesit personal të kryetarit të bashkisë Shijak Elton Arbana dhe mundëson furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm.
Lagjja “Kodër” është e para që është futur në këtë projekt duke qenë se ajo ka pasur problematika të shumta të furnizimit me ujë të pijshëm. Furnizimi me ujë nga rrjeti i ri do të bëhet mee seksione të përzgjedhura nga ana e UKD me lagje të caktuara, derisa të mbulohet furnizim i njëjtë për të gjithë qytetin.
Përvec shtrimit të linjës së re të furnizimit, bashkia e Shijakut dhe UKD kanë ndërtuar edhe kasetat përkatëse për instalimin e matësve të rinj të ujit. Lagjet e tjera të qytetit të Shijakut do të furnizohen në ditët në vijim deri në objektivin final, atë të vënies në funksion të gjithë rrjetit të ri shpërndarës.
Qyteti i Shijakut së shpejti do të përfitojë edhe një investim të ri që lidhet me tubacionin e ri plastik me dimension 500 mm, i cili është i ndarë në sy segmente: i pari nga depoja e Shilores drejt fshatit Marikaj dhe i dyti nga Marikaj në Vorë.
Kjo pritet të zgjidhë përfundimisht problematikën e lidhjeve të paligjshmesi dhe amortizimin e rrjetit në shumë segmente të tij.





