Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas thirrjeve që kryeministri, Edi Rama drejtoi ndaj prokurorëve të SPAK, duke u kërkuar që të hetonin edhe Berishën dhe Metën, jo vetëm zyrtarë të PS.

Me anë të një postimi në facebook, Kryemadhi shkruan se kryeministri po ushtronte presion ndaj SPAK-ut sepse po përpiqej të mbronte kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili sipas saj ka aporovuar në kundërshtim me ligjin dhënien me koncesion 30 vjeçar të inceneratorit të Tiranës.

Postimi i plotë nga Kryemadhi:

“Ja pse kryeministri Edi Rama po ushtron presion ndaj prokurorisë speciale anti korrupsion (SPAK), e ngritur nga Reforma në Drejtësi e vitit 2016.

Atij i duhet të mbrojë kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj nga prokuroria, për rolin e tij në aprovimin në kundërshtim me Ligjin e Vetëqeverisjes Vendore, të koncesionit 30 vjeçar të inceneratorit të Tiranës.

Firma e Veliaj është provë e qartë korrupsioni, ndërsa presioni i Ramës ndaj drejtësisë është sulm i qartë kundër integritetit të saj. Rruga e Shqipërisë drejt BE kërkon drejtësi të pavarur dhe fundin e pandëshkueshmërisë të korrupsionit në nivelet e larta.”