Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gazetarët me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja këtë të mërkurë, foli lidhur me kritikat e adresuara ndaj SPAK në Asamblenë e PS, dhe tha se mendimin dhe qëndrimin e tij ndaj punëve të drejtësisë nuk ia heq dot askush.
Edi Rama: Në emër të forcës politike që i ka dhënë kësaj reforme të gjithë mbështetjen e vet, morale, politike profesionale që nga pikënisja e deri sot por dhe si njeriu që është sulmuar më shumë nga kundërshtarët e saj por dhe mbështetësit e saj, që janë krejt të palumtur dhe me të drejtë për shkak të mos gjithanshmërisë së spektrit të gjykimeve të deritanishme, unë besoj se të drejtën që në këtë moment që mbyll një cikël e hap një cikël të ri në aspektin kohor të drejtën të ndaj opinionin tim publik ndaj drejtësisë së re nuk ma heq askush.
Rama tha se ai vetë dhe PS vetëm kanë inkurajuar veprimet e SPAK, ndërsa kujtoi se arrestimet që janë bërë në oborrin e partisë në qeveri, nuk kanë ndodhur kurrë më parë në asnjë qeveri.
Rama përçoi edhe një mesazh, duke thënë se PS dhe ai nuk i kanë bërë dhe nuk do t’i bëjnë kurrë presion drejtësisë.
Po a është kjo një përgjigje replikë ndaj Ambasadës amerikane Yuri Kim?
Kjo e fundit dy ditë më parë tha se reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme kur udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij.
Yuri Kim deklaroi më 9 maj: “Do të quhet gjithashtu e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi.”





