Në një komunikim me gazetarët, kryeministri Edi Rama përmendi pagat e anëtarëve të sistemit të drejtësisë për të treguar mbështetjen që i ka dhënë PS reformës për drejtësi të pavarur, e bëri krahasimin me deputetët për të cilët tha se nuk u janë rritur rrogat që nga viti 2013.

“Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje të gjithë zhvillimet pas kalimit të reformës. E kam thënë e përsëris nuk kam pas asnjë iluzion që kjo do ishte një shëtitje apo lëndinë. Kjo është një ngjitje shumë e vështirë ndaj ne i kemi mbështetur institucionet e reja të drejtësisë apo njerëzit e këtyre institucioneve përtej edhe logjikës aritmetike të buxhetit tonë të shtetit.

Merrni shikoni shifrat se sa buxhet është spostuar nga të tjera zëra për të shkuar drejt zërit të drejtësisë. Merrni shikoni pagat e institucioneve të drejtësisë.

Që prej vitit 2013 nuk është bërë asnjë rritje page e anëtarëve të kabinetit qeveritar apo deputetëve, përkundrazi u janë rritur taksat.

Shikoni pagat në institucionet e drejtësisë, shikoni mbështetjet financiare e logjistike për këto institucione, për të kuptuar sa shumë rëndësi i japim ne këtij procesi e se mbështetja jonë është 360 gradë për drejtësinë e re.

E dyta, mbështetja jonë është absolutisht domethënëse kur ne e kemi qepur gojën e do vazhdojmë ta mbajmë qepur gojën sa herë që institucionet e drejtësisë të drejtohen drejt oborrit tonë për këdo qoftë që mund të ketë llogari të hapura me drejtësinë, Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë.

Nuk ka ndodhur që kush është në pushtet të qepi gojën kur drejtësia merr këdo qoftë nga radhët e veta për ta vendosur para ligjit”, tha kryeministri Rama.