Bashkia Durrës po planifikon rikonstruksionin e hapësirave publike në bllokun e banimit në lagjen nr.17 dhe tek Muzeu i Dëshmorëve.
Bashkia ka hapur sot tenderin me vlerë 62,490,403 lekë dhe fton deri më datë 1 qershor të gjitha kompanitë e interesuara të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në të.
Pas shpalljes së fituesit dhe lidhjes së kontratës, rikonstruksioni i këtyre dy lulishteve tek stacioni i trenit dhe tek Muzeu i Dëshmorëve pritet të përmbyllet brenda 70 ditëve.
Por çfarë parashikon ky projekt?
Në dokumentet e tenderit, bashkia Durrës specifikon se projekti në fjalë “për rehabilitimin e hapësirave të gjelbërta të qytetit të Durrësit ndërtohet duke u bazuar mbi këto objektiva kryesore:
1. Kthimi i këtyre hapësirave ne funksion të qytetarëve (duke përfshire dhe prishjen e tendave, strukturave shtesë të lokaleve )
2. Ripërcaktimi i raportit te qytetit me hapësirat e lira, hapësira rikreative
3. Rivitalizimi i zonës përreth duke shtuar gjelbërimin si dhe këndet e lojërave”.
Ndërhyrja në këtë zonë parashikon krijimin e hapësirave të gjelbëra të cilat aktualisht janë të fragmentarizuara dhe me bimësi të varfër, si dhe hapësirat për kënde lojërash.
“Projekti strukturohet duke rimarrë përmasat dhe duke krijuar lidhje të forta me qendrën dhe me hapësirën urbane, së cilës i referohet. Rrugët që vijnë nga qyteti hyjnë në park, krijojnë konfiguracione dhe lidhen me zonën duke krijuar mundësi për lokalizimin e pikave të rëndësishme, siç janë sheshet e krijuara.
Të gjitha hapësirat e krijuara për lojëra vendosen në zonat e gjelbëruara dhe janë të aksesueshme nëpërmjet rrugëve dhe shesheve në park. Shëtitja, çlodhja dhe relaksi, lojërat dhe aktiviteti fizik me varietete dhe mundësi mjaft të pasura e bëjnë parkun një hapësirë publike multifunksionale të rëndësishme për qytetin, qytetarët e tij dhe turistët që e vizitojnë atë, hapësirë që mungon në të gjithë zonën”,- shkruhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.
Rikonstruksioni i këtyre dy lulishteve parashikon shembje strukturash, tendash etj të vendosura aty nga lokalet që operojnë prej vitesh në këto dy hapësira publike.
Në dokumentin e mëposhtëm (të cilin mund ta download-ni), përcaktohen të gjitha ndërhyrjet që do të realizohen sipas projektit dhe prishjet e nevojshme.
M.B..