Me një aktivitet të larmishëm, të ndërthurur me numra muzikorë, nxënësit dhe stafi pedagogjik i shkollës jopublike “Mihal Ekonomi” në Durrës kanë festuar 20-vjetorin e themelimit të këtij institucioni arsimor në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

E para shkollë jopublike në Durrës, gjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj, ka qenë si një familje e madhe, e zgjeruar, siç parapëlqen ta quajë drejtoresha e saj, Elsa Ekonomi Hila.

Në fjalën e rastit para nxënësve, mësuesve dhe prindërve, drejtoresha vuri theksin në atë që ka qenë udhërrëfyesi i kësaj shkolle, që nga dita e parë kur hapi dyert e deri më tani; besimin në vlerat e arsimit për brumosjen e brezave të ardhshëm.

“Kemi bërë një udhëtim 20-vjeçar, 2002-2022. Duke bërë bilancin e punës sonë për ato çfarë kemi bërë mirë dhe ato që si kemi bërë, një gjë nuk e kemi ndryshuar kurrë; besimin tek vlerat e shkollës, për progresin e shoqërisë, të përparimit të saj.

Shkolla jonë shënon një kurbë rritjeje të vazhdueshme jo vetëm në zbatim të kurrikulës së MAS, por edhe më tej; përmirësimit dhe pasurimit cilësor bashkëkohor me kurrikulën e brendshme të shkollës, me lëndë speciale e specifike dhe shumë të domosdoshme për formimin e plotë dhe të thelluar të nxënësve nëpërmjet një shtrirjeje më të gjerë kohore të qëndrimit në shkollë.”,- tha drejtoresha gjatë fjalës së saj.

Si një nga arritjet më të rëndësishme dhe më të fundit të shkollës, drejtoresha Hila nënvizoi pjesëmarrjen e 3 nxënësve të kësaj shkolle në Olimpiadën Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze në Venecia të Italisë.

Hila falenderoi prindërit për besimin që i kanë dhënë stafit pedagogjik duke i besuar pasurinë e tyre më të madhe, fëmijët.

Drejtori i Arsimit në bashki, Ardian Gurra, gjatë fjalës së tij vuri theksin në rëndësinë që ka pasur dhe vazhdon të ketë shkolla “Mihal Ekonomi” për arsimimin e nxënësve të Durrësit.

“Jeni kthyer në një vatër të madhe të dijes, jeni kthyer në një fidanishte të njerëzve të suksesshëm dhe për më tepër një partnere solidare e bashkisë Durrës në të gjitha veprimtaritë e saj”,- tha Gurra.

20 vite nuk janë pak, por nuk janë as shumë në historinë e një shkolle, për këtë arsye “Mihal Ekonomi” ka ende shumë rrugë përpara në fushën e dijes dhe arsimimin e brezave që do të vijnë.