Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kallëzuar në SPAK drejtoreshën e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni.

Në një konferencë shtypi, Manja tha se Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka zbuluar raste për abuzime me detyrën përmes skemave korruptive.

“Ka dyshime të arsyeshme se Njësia Antikorrupsion nëpërmjet hetimeve proaktive dhe dokumentacionit për disa skema përfitimi abuzimi dhe korrupsioni ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave në Shqipëri. Kjo është ndoshta goditja më e rëndësishme dhe hetimi më serioz i zhvilluar nga Njësia Antikorrupsion.

Zyrtarja më e lartë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe disa drejtues rezultojnë të implikuar në veprimtari abuzive përmes skemave që kanë prodhuar korrupsion thelbësor. Kam firmosur kallëzimin që do t’ja drejtoj SPAK-ut dhe është radha e SPAK të thellojë më tej hetimet e nisura”, deklaroi Manja.

Ministri bëri të ditura dy skema të dyshuara për korrupsion nga drejtoresha e ATP dhe vartës të saj.

“Janë dy skema të dokumentuara nga ana jonë. Ish-pronarët të cilët disponojnë vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave për kompensim financiar dhe fizik të pronave të tyre, i disponojnë këto vendime për një kohë të gjatë në pritje të marrjes së kompensimit por edhe të kompensimit fizik të pronës, gjë të cilën nuk kanë mundur ta realizojnë deri më sot. Në këto kushte janë detyruar t’i shesin vendimet e tyre tek sekserë dhe ndërmjetës, të cilët sapo i kanë marrë dhe i kanë blerë këto të drejta reale mbi pronat e ish-pronarëve, çuditërisht menjëherë kanë aplikuar në ATP dhe janë kompensuar 100% financiarisht por janë kompensuar edhe me sipërfaqe të tëra pronash në vendet më turistike të Shqipërisë me përparësi zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit malor.

Skema tjetër ka të bëjë me abuzimet në rastin e kompensimit financiar të ish-pronarëve pronat e të cilëve janë zënë me ndërtesa informale të legalizuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ish-pronarët depozitojnë kërkesën për tu kompensuar financiarisht. Sipas taktikës që vetë agjencia e ka vendosur si standard, skema e kompensimit do ndjekë rendin kronologjik të vendimeve që vijnë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ka ish-pronarë që presin nga 1 deri në 5 vjet për të marrë shuma qesharake, ndërkohë në anën tjetër kemi ish-pronarë që brenda një harku kohor 1-17 ditë janë kompensuar në shuma marramendëse deri dhe në 500 milionë lekë të vjetra. Ka dyshime për abuzime dhe shpërdorim detyre nga ana e zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit të Pronave”, deklaroi ministri Manja.