Blagoja Todorovski dhe Sebino Plaku i thonë “mjaft” futbollit të luajtur. Mbrojtësi maqedonas dhe sulmuesi, të dy në moshën 37- vjeçare (Todorovski i mbush më 11 qershor), zyrtarisht varin “këpucët në gozhdë” pas tri sezonesh të suksesshme me skuadrën e Teutës, ku fituan edhe trofe.Pas mbarimit të sezonit, ku Teuta mbeti jashtë Kupave të Europës, në kampin durrsak kanë nisur edhe lëvizjet e para, kryesisht sa u përket largimeve, ku u është dhënë dora tre lojtarëve “veteranë”.Blagoja Todorovski dhe Sebino Plaku nuk do të jenë më pjesë e “djemve të detit”.

Mbrojtësi dhe sulmuesi e mbyllën sezonin e tretë në Durrës, por edhe me futbollin e luajtur dhe tani pritet që karriera e tyre të marrë një drejtim të ri, sigurisht pranë futbollit. Blagoja Todorovski dhe Sebino Plaku ishin titullarë në dy vitet e para kur Teuta fitoi gjithçka.Ndërsa në pjesën e dytë të sezonit që sapo u mbyll të dy lojtarët e mësipërm, nuk u aktivizuan shumë, pasi klubi u dha dorë elementëve të rinj.Todorovski përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale ka falënderuar klubin dhe presidentin dhe është ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme me Teutën. Ja mesazhi i lamtumirës i Blagoja Todorovskit me Teutën:

“Falënderime për qytetin e Durrësit dhe Teutën! Pas 3 vitesh të mbushura me sfida, emocione, vështirësi, por edhe momente magjike, erdhi momenti t’i them lamtumirë ekipit të Teutës.Ky ekip më dha mundësinë të isha si në vendlindjen time, ku bëra shumë miq. Falënderoj presidentin Hasanbelliu për bashkëpunimin dhe besimin e dhënë, trajnerët Arapi dhe Martini, si dhe bashkëlojtarët e mi në këto tri vite, pa harruar tifozërinë me mbështetjen e saj të vazhdueshme. Uroj të dëgjoj vetëm të mira për ju! Suksese Teuta”.

Përveç Todorovskit dhe Plakut që lanë futbollin, largimi i radhës nga Teuta është mbrojtësi Filip Ivanoviç. Serbi është largimi i tretë nga Teuta pas përfundimit të kampionatit.Mbrojtësi me përvojë mbërriti në Durrës verën e kaluar si lojtar i lirë nga Sabah. “Divorcin” e ka pranuar edhe vetë mbrojtësi Ivanoviç, i cili ka lënë këtë mesazh lamtumire para largimit nga Teuta:“Të dashur shokë, me këtë rast dua t’ju falënderoj për çdo gjë. Faleminderit që më pranuat në këtë ekip si vëlla. Do t’ju kujtoj vetëm për mirë. Faleminderit për gjithçka, ju uroj shumë shëndet dhe shumë suksese”.Në dallim nga Todorovski dhe Plaku, Filip Ivanoviç ka pasur më shumë minuta në fushë. Ai është aktivizuar në 25 ndeshje në sezonin e fundit, me 2096 minuta, ku ka shënuar edhe tre gola.Sebino Plaku ka luajtur në sezonin e fundit 995 minuta me durrsakët në 25 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Ndërsa Todorovski ka 1184 minuta të luajtura në 19 ndeshje, por nuk e gjeti në asnjë rast rrugën e rrjetës.