Te Teuta nuk ka vetëm largime, pasi mendohet që pjesa dërrmuese e grupit të qëndrojë edhe për sezonin e ri. Në fakt, 10 prej tyre janë nën kontratë dhe vetëm nëse do ta zgjidhnin atë, mund të ikin nga blutë, ndërsa me të tjerët, të cilëve pritet t’u skadojë marrëveshja, do të bisedohet për rinovim.Klubi madje ka nisur të mendojë me disa prej tyre për t’i besuar edhe edicionin e ardhshëm që të jenë pjesë e bluve. Dilemat më të mëdha janë për mesfushorët Asion Daja dhe Jahmir Hyka, të cilëve u skadon marrëveshja dhe pritet të flasin në ditët në vijim me drejtuesit, por edhe trajnerin Renato Arapi.

Gjasat janë që ky i fundit të kërkojë rinovimin me të dy, por kjo mbetet për t’u parë. Shanset që ata të hedhin firmën nën kontratë për një tjetër sezon në Durrës, do të shihet në ditët në vijim. Rasti i fundit me largimin e mesfushorit Albano Aleksi, edhe pse ishte nën kontratë edhe për një sezon, tregon për një strategji ndryshe që klubi do të përdorë në sezonin e ri. Presidenti Hasanbelliu është i vendosur t’u besojë më shumë të rinjve premtues. Mirëpo, duke qenë se do të ketë shumë largime, nevoja për ndërhyrje në merkato është evidente.

Burime në klub tregojnë se vetëm 50 për qind e lojtarëve që mbyllën sezonin do të jenë pjesë e Teutës në vazhdim. Deri më tani zyrtarisht klubi ka konfirmuar largimin e Sebino Plakut, Bllagoja Todorovskit, Filip Ivanoviçit dhe Albano Aleksit. Sakaq, emra si Klejdi Daci dhe Ergys Peposhi, që ishin në huazim te durrsakët, do të kthehen sërish te Kukësi. Gjysma e skuadrës është nën kontratë deri në verën e vitit 2023 dhe nga këtu do të nisë rindërtimi i grupit.Arapi u dha hapësirë edhe elementëve të rinj si Jazxhi, Beqja e Kapllani, tre lojtarë që mund të quhen të fituar tashmë. Duke filluar nga porta, sërish do t’i besohet Qirkos, i cili ka bërë një sezon pozitiv, ndërsa në repartet e tjera do të ketë përforcime. Nga titullarët e vjetshëm pritet të rikonfirmohet edhe sulmuesi Rubin Hebaj, i cili bëri një gjysmësezoni fantastik me durrsakët, duke shënuar për herë të parë në karrierën e tij 10 gola.