Këtë të martë në orën 18:00 në kuadër të nismës “Qyteti që rrëfen”, që synon të mbledhë rrëfenjat e pinjollëve të familjeve që ndikuan në historinë e qytetit të Durrësit, do të organizohet një bashkëbisedim midis trashëgimtarëve të familjeve, ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe publikut të gjerë.
Grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë” që ka ndërmarrë nismën “Qyteti që rrëfen” organizon këtë të martë në Amfiteatrin e Durrësit një takim që nis në orën 18:00, për të diskutuar me familjet që ndikuan në historinë e qytetit të Durrësit.
Takimi do të nisi me rrëfimin e Redi Myshketës, përfaqësues i një prej familjeve me ndikim dhe kontribut prej dekadash në zhvillimin e qytetit, familja Myshketa.
Duke vijuar më tej me Dorina Xheraj-Subashin, eksperte e trashëgimisë kulturore që do të shpjegojë për raportin e memories kolektive të familjeve të vjetra me të rinjtë.
Ndërsa Artan Kacani, planifikues territori dhe studiues i historisë urbane të Durrësit, do të shpjegojë për shpërndarjen e familjeve në territorin e qytetit.
Takimi i hapur për publikun do të organizohet në kuadër të “Javës së Demokracisë Vendore 2022“, për të ndarë informacione dhe qasje mbi procesin e dokumentimit të historive të familjeve të vjetra dhe ndikimit që ato kanë pasur në qytetin e Durrësit.
Në kuadër të nismës “Qyteti që Rrëfen”, një grup të rinjsh të apasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe historisë së Durrësit, në bashkëpunim me ekipin e Medias Amfora, do të dokumentojnë historitë përmes mbështetjes nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.