Jeta e Kristjan Asllanit ka ndryshuar në mënyrë drastike brenda një viti. Mesfushori i talentuar shqiptar, ndonëse kishte spikatur në radhët e ekipit të të rinjve të Empolit, ishte thuajse një i panjohur për publikun e gjerë edhe pse stërvitej me ekipin e parë. Ndërsa tani, po bëhet gati të firmosë me Interin me një rrogë marramendëse. Palët kanë arritur gjuhën e përbashkët mes tyre dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi.
Deri në verën e kaluar, ai kishte luajtur vetëm dy ndeshje në Kupën e Italisë, ndërsa edhe te përfaqësuesja Shpresa e kishin grumbulluar duke e mbajtur në stol. Por gjithçka ka ndryshuar me shumë shpejtësi për të, pasi ai arriti të fitonte vendin në radhët e skuadrës së Empolit dhe tashmë është në radarët e Interit që është gati të blejë futbollistin.
Negociatat mes klubeve për transferimin e 20-vjeçarit vazhdojnë, por mësohet se ai ka gjetur edhe akordin e tij me zikaltërit për kontratën e re. Mediat italiane raportojnë që Asllani do të përfitojë 1,2 milionë Euro në sezon, për një kontratë pesëvjeçare, me Interin që e sheh atë zëvendësuesin ideal të Brozoviç dhe emrin që do ta zëvendësojë në formacionin titullar. Transferimi te nënkampionët e Italisë do të ishte hapi i madh i Asllanit në karrierën e tij tepër të shkurtër, me 20-vjeçarin që do kthehej në një element kyç edhe për kombëtaren shqiptare.





