“Empati”, kështu titullohej ekspozita e parë personale e piktorit Erjon Bardhi, e hapur mbrëmjen e djeshme në Muzeun Arkeologjik Durrës.

Një ekspozitë kushtuar njeriut dhe gjendjes së tij emocionale dhe psikologjike komplekse.

Me 20 punimet e tij në vaj, të realizuara dy vitet e fundit, Bardhi solli për artdashësit durrsakë një art që depërton deri në skutat e thella të ndërgjegjes njerëzore dhe shpërfaq të brendshmen e gjithësecilit prej nesh.

Studiuesi i artit Agim Janina foli me nota mjaft pozitive për pikturat e Bardhit, duke vlerësuar në to aftësinë e piktorit të ri durrsak për të sjellë në kanavacë njeriun e thjeshtë me dramat dhe sfidat e përditshme.

Me tablo të punuara kryesisht me ngjyra neutrale, ku shpesh vihet re trishtimi në sytë e personazheve të pikturave të tij, Bardhi përcjell gjithë empatinë e tij për njeriun e kohëve moderne. Në ekspozitë ishte e pranishme edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e cila tha se ishte njohur kohë më parë me veprat e Bardhit dhe për këtë arsye ndihej e lumtur që sot e shihte punën e tij të finalizuar në një ekspozitë personale.

Ekspozita “Empati” do të qëndrojë e hapur për publikun pranë Muzeut Arkeologjik deri më datë 20 korrik.

M.B.