Bustet e figurave të njohura të historisë degdisen në një cep të sallës së Këshillit Bashkiak.

5 skulpturat që deri para rikonstruksionit të bashkisë Durrës qëndronin të ekspozuar në korridorin para derës së Këshillit Bashkiak, sot dergjeshin të gjithë së bashku në një vend, të harruar e të braktisur.

Bustet në allçi, të realizuara vite më parë nga 5 studentë të Institutit të Arteve, iu dhuruan bashkisë Durrës në një ceremoni të posaçme. Studentët, nën drejtimin e profesorit Fatos Kola, mbrojtën temën e diplomës me këto skulptura.

Megjithëse profesionistë të fushës i kishin propozuar bashkisë Durrës derdhjen e tyre në bronx, ky hap nuk është ndërmarrë deri më tani nga institucioni i qeverisjes vendore.

Në 5 skulpturat e personaliteteve kanë nisur të shfaqen shenjat e kohës dhe nëse nuk merret së shpejti ndonjë masë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre, ato rrezikojnë të kenë të njëjtin fat si skulpturat e parkut të rokerëve të njohur botërorë, që dikur qëndronin në lulishten përballë portit të Durrësit.

“DurrësLajm” i filmoi rreth 2 vite më parë 4 skulpturat e Tina Turner, Mick Jagger, John Lennon dhe Bob Dylan, në një cep të oborrit të NSHK-së, në gjendje të mjerueshme.

M.B.