Për 3 ditë me radhë në Durrës është zhvilluar Kampionati Kombëtar i boksit për U-14.
Boksierët e vegjël nga 10 ekipe pjesëmarrëse kanë dueluar me njëri-tjetrin në përballje direkte për të zgjedhur më të mirët e këtij sporti.
Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e palestrës “Titans” është përmbyllur me fitoren e ekipit të Teutës, që u shpall për të dytin vit radhazi kampion për U-14, me 6 boksierë kampionë në radhët e tij.
Ky rezultat mjaft i mirë, flet për punën e madhe që bëhet me këta djem të rinj, që në të ardhmen mund të jenë në elitën e boksit durrsak.
6 kampionët e ekipit të Teutës janë:
1- Emanuele Deda
2-Xhuljo Bajrami
3-Drilon Hatija
4-Akil Mezini
5-Ledion Kola
6-Edison Prekndrekaj
“DurrësLajm” komunikoi me trajnerin e ekipit, Enton Kikrri pas shpalljes për herë të dytë kampion për të mësuar më shumë mbi emocionet e kësaj gare kombëtare dhe ndjesitë pas fitores.
“Sigurisht ndihem shumë i emocionuar. Ky rezultat konkretizon punën e madhe që ne bëjmë çdo ditë me akademinë e boksit durrsak. Tani kjo punë konkretizohet me këtë rezultat fantastik. Prej disa muajsh me radhë, të gjithë kampionët e ekipit tonë i janë nënshtruar një stërvitjeje rigoroze, ndërkohë që arritjet personale të gjithësecilit prej boksierëve të vegjël janë edhe falë pasionit që ata dëshmojnë çdo ditë në këtë sport. Jam krenar që stërvis çdo ditë këta djem kaq të mrekullueshëm, me të cilët ndaj rreth 2-3 orë stërvitje, përkushtim dhe pasion për sportin e boksit”,– thotë Kikrri.
Krahas 6 kampionëve të rinj të Durrësit, falenderimet e trajnerit Kikrri shkojnë edhe për pjesëtarët e tjerë të ekipit të boksit U-14 të Teutës Leonard Teta, Desian Lleshaj, Beluis Bytyci dhe Kesian Bytyci, si dhe presidentin e ekipit Fred Shoshi.
Kikrri thotë se sporti i boksit ka krijuar një traditë të bukur në qytetin bregdetar, ku po spikasin një numër i konsiderueshëm talentesh të reja, që premtojnë shumë për të ardhmen.
Rreth një muaj më parë, një tjetër boksier i stërvitur nga trajneri Kikrri, Ardit Murja, fitoi një përballje mjaft të rëndësishme ndërkombëtare, në duelin me rivalin e tij gjeorgjian, Khvicha Gigolashvili.