Pushuesit në Durrës, kërkojnë më shumë masa sigurie në plazhe, kulla vrojtimi dhe roje bregdetare që të jenë prezent në çdo moment për të dhënë ndihmën e shpejtë.

Nisur nga ngjarja e rëndë e një dite më parë që i tronditi të gjithë kur 18-vjeçari Anri Kashiku u mbyt në det në Sektorin Rinia, pasi shpëtoi vëllanë e mitur dhe një shokun e tij, pushuesit përmes “DurrësLajm” kanë një apel drejtuar strukturave të shtetit: Të vendosen e të jenë funksionale për çdo rast rreziku kullat e vrojtimit!

“Siguri më të madhe duhet të ketë, sidomos për fëmijët. Duhet të jepet ndihma e shpejtë”, thotë një pushues.

“Janë plazhe të rrezikshme, ku po pati pak erë ose dallgë është shumë rrezik”, shprehet një tjetër pushues.

Një ditë më parë Anri së bashku me vëllanë dhe shokë të lagjes ku banonin në fshat Rinia, kishin shkuar në plazh për të pushuar e për t’u larë. Por deti ishte me dallgë, dhe teksa dy të mitur po rrezikonin jetën, rrezikun e mori përsipër djaloshi i stërvitur dhe ja doli të shpëtojë vëllanë dhe shokun e tij,por vetë u mbyt prej dallgëve të mëdha.