Dekani i Fakultetit të Biznesit, në UAMD, Shkëlqim Fortuzi, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale për amnistinë fiskale të prezantuar nga qeveria Rama.
Në postimin e tij, Fortuzi kërkon nga qeveria transparencë të plotë për këtë amnisti dhe diskutim të gjerë me të gjithë aktorët vendas dhe të huaj.
Ndërsa kërkon garanci të plotë që të mos dëmtohen bizneset e ndershme dhe korrekte në shlyerjen e detyrimeve duke u favorizuar bizneset klienteliste të qeverisë dhe ato të politikanëve, Fortuzi apelon që paratë e mbledhura nga kjo amnisti të përdoren menjëherë për rritjen e pagave dhe pensioneve, ndihmën eknomike etj.
Postimi i plotë:
Ditët e fundit, qeveria shqiptare ka prezantuar projektligjin për amnistinë fiskale, e cila sipas qeverisë do të ulte informalitetin në ekonomi si dhe do të rriste të ardhurat buxhetore.
Unë, si specialist i ekonomisë, parimisht nuk jam kundër relaksimit të ekonomisë shqiptare, e cila ka nevojë për stimuj financiarë, por që të realizohet amnistia fiskale, duhet të japë disa garanci dhe besueshmëri për t’i shërbyer si atyre që do të përfitojnë nga amnistia fiskale, po ashtu edhe bizneseve ose individëve që kanë qenë korrekte me ligjin duke paguar rregullisht tatimet dhe taksat gjatë këtyre 30 viteve.
Kinkretisht mendoj se:
1.Amnistia fiskale duhet të bëhet me transparencë të plotë në konsultim me bizneset, grupet e interesit, eksperte kontabël, institucionet e arsimit të lartë, FMN dhe institucione të tjera nderkombëtare financiare, që monitorojnë ekonominë shqiptare.
2.Amnistia fiskale duhet të bëhet për bizneset shqiptare dhe shtetasit shqiptarë dhe jo për klientë të qeverisë apo politikanëve.
3.Amnistia fiskale duhet të japë garanci që nuk i dëmton tatimpaguesit korrektë (biznese dhe individë) që kanë paguar rregullisht tatimet dhe taksat gjatë këtyre 30 viteve.
4.Amnistia fiskale nuk duhet të shërbejë si motivim për tatimpaguesit dhe individët e parregullt në vite, duke dekurajuar tatimpaguesit e rregullt.
5.Amnistia fiskale duhet të bëhet në konsensus të plotë me të gjitha forcat politike në vend, me qëllim që të japë garanci të plotë në të ardhmen për subjektet përfituese.
6.Qeveria duhet të japë garanci se tatimet dhe taksat që do të arkëtohen si rezultat i amnistisë fiskale, do të kthehen në të mira materiale menjëherë për qytetarët, duke rritur pagat, pensionet, asistencën sociale, ndihmën ekonomike etj.