Një Kazanovë në kërkim jo të një gruaje, por të një fëmije. Një bukurosh 43-vjeçar që pret të bëhet baba nga Rebeka, një konceptuese profesioniste fëmijësh, ndërsa nga ana tjetër ka rënë në dashuri me Kristinën, kamarieren intriguese, që i ka lindur dëshira të bëhet mama.
“Gratë e Kazanovës”, një komedi fine franceze solli mjaft të qeshura në amfiteatrin e Durrësit me batutat plot humor dhe lojën mjaft të mirë aktoriale të trios Andia Xhunga, Rozana Radi dhe Indrit Çobani.
Pas Pakut çamarok të Shekspirit, Andia Xhunga këtë herë vjen nën petkun e regjisores së shfaqjes dhe njërës prej aktoreve. Me 4 role të interpretuara në 4 shfaqje të ndryshme brenda pak muajsh, aktorja durrsake shprehet për “DurrësLajm” se ndihet goxha e emocionuar para premierës së radhës.
Kazanova modern, Indrit Çobani, vjen për herë të parë të interpretojë në amfiteatër. Për të kjo komedi është përfekte të vihet në skenën e hapur të monumentit mijëra vjeçar, ndërsa që të interpretojë përkrah bashkëshortes së tij, të cilën e ka edhe regjisore të shfaqjes ka “rreziqet” e veta.
Edhe aktorja e njohur Rozana Radi vjen për herë të parë të luajë në amfiteatër. Për të është një emocion i veçantë të vijë në rolin e flirtueses Kristinë, por ndihet mirë që shfaqja përcjell mesazhin e rëndësisë që ka institucioni i martesës.
Një trekëndësh dashurie ka gjithnjë surprizat e veta. Çfarë do të ndodhë kur të tre të ndodhen në të njëjtin vend? Mes Rebekës brune dhe Kristinës bionde kë do të zgjedhë Xhozef Barneti? Apo do t’i ikin të dyja dhe në duar do t’i mbeten dy krijesa të brishta? Përgjigjen e këtyre pyetjeve do mund t’i mësoni mbrëmjen e sotme, në orën 20.30, në amfiteatrin e Durrësit.
M.B.