Ministrja e Kulturës Elva Margariti, u ndal sot në një vizitë të shkurtër në Amfiteatrin e Durrësit.
Margariti, e cila shoqërohej nga Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, mësohet se vizitoi Amfiteatrin pas përfundimit të ekspeditës arkeologjike italo-shqiptare.
Grupi i arkeologëve dhe studentëve italo-shqiptarë nisën gërmimet në amfiteatrin e Durrësit më 4 korrik. Instituti i Arkeologjisë, së bashku me universitetin e Chieti-Pescara-s, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, prej vitit 2004 organizon ekspedita arkeologjike, të cilat kanë për qëllim të nxjerrin në dritë nga nënshtresat e amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II e.s. të tjera dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit 3000-vjeçar.
Gërmimet u përqendruan në pjesën jugore të monumentit unikal në rajonin e Ballkanit. Ndër vite, ekspeditat arkeologjike kanë zbuluar faza të rëndësishme post-antike dhe struktura të sitit të rëndësishëm arkeologjik.
Ekspedita arkeologjike italo-shqiptare ka qenë e përvitshme në Amfiteatër, me përjashtim të vitit 2020, kur, për shkak të pandemisë, grupi i arkeologëve nga Italia nuk erdhi në Durrës.