Policia ka arrestuar 3 shtetas maqedonas, pasi u kapën duke ndihmuar disa persona për të kaluar kufirin me dokumenta false në portin e Durrësit. Gjithashtu janë proceduar penalisht dhe 4 nga shtetasit të cilët tentuan të kalonin ilegalisht kufirnin.

Ndërkohë, në prangat e Policisë Kufitare ka përfunduar po ashtu edhe një 33-vjeçar nga Gjilani, pasi ishte pajisur me dokumenta false.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, shtetasit:

S. B., 35 vjeç dhe A. Z., 39 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Durrës, duke ndihmuar shtetasit H. G., 48 vjeçe dhe S. G., 46 vjeç, banues në Kosovë, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit H. G. dhe S. G.;

A. I., 43 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Durrës, duke ndihmuar shtetasit B. M., T. K., D. M., Y. M. dhe A. M., që të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara. Në përfundim të veprimeve nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. M. dhe T. K.

Po nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi G. Sh., 33 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.