Nga Gëzim KABASHI
Dashamir Gurabardhi, piktori i njohur, vjen shpesh në Durrës nga New Yorku, ku punon dhe jeton prej shumë vitesh së bashku me familjen.
Ai ndjehet i lumtur kur kthehet në vendin e tij.
Takon të afërm, shokë e miq, interesohet për kolegët artistë, jo pak edhe për jetën e Shijakut dhe Durrësit, dy qyteteve ku është rritur dhe ku ka kaluar një pjesë të mirë të jetës.
Dashi merr pjesë në kolonitë e artit që organizohen nga miqtë piktorë dhe dashamirës të kulturës, duke vizituar pas kaq kohësh zonat më të bukura të Shqipërisë, dhe jo pak herë edhe Italinë fqinje.
Ndërkaq, përgatitet të hapë edhe ekspozitat personale.
Ky shkrim i shumë viteve më parë na kujton Dash Gurabardhin e hapave të parë në SHBA, si piktorin e dy kontinenteve.
Jeta e tij është shenjuar nga “gabimi” i drejtuesve të arsimit në Shijak, të cilët kur mbaroi shkollën 8-vjeçare nuk i dhanë të drejtën të mësojë në Politeknikumin e Tiranës.
“Doli për mbarë-thotë Dashamir Gurabardhi. Mësuesi im i vizatimit, piktori i njohur Agim Faja kishte vënë re te unë shkëndijën e talentit. Mesa duket kisha trashëguar diçka nga talenti i të parëve të mij nga nëna, ndoshta edhe nga gjyshi im, i cili kishte punuar qeleshexhi në Tiranë – tregon Gurabardhi elementë që e lidhin familjen e tij me artin.
Vitet e kryeqytetit
Në liceun artistik “Jordan Misja” të Tiranës, djaloshi shijakas nuk ka mësuar vetëm nga pedagogët e tij.
“Hasan Çapari ishte mësuesi im i pikturës, por duhet thënë se ne studentët e rinj kemi mësuar shumë edhe nga njeri tjetri. Ishte një grup të rinjsh të talentuar dhe të pasionuar – kujton Gurabardhi, tashmë 58-vjeçar, vitet e kryeqytetit.
“Tetë vjet plot, po të llogarisësh edhe vitet e shkollës së lartë-saktëson Dashi.
Gazmend Leka, Ilir Pojani, Bujar Luca, Ali Miruku nga Shkodra e plot të tjerë ishin bashkënxënësit e Gurabardhit, dhe ndikimi i tyre mbi njeri tjetrin ishte i madh. Por edhe më e ndjeshme ishte influenca e pedagogëve të nderuar, të cilët kishin studiuar në vendet e Lindjes dhe të Perëndimit.
“Vazhdoj të ruaj me fanatizëm një peisazh të punuar në vitin 1970 – kujton artisti nga Shijaku. Isha 16 vjeç kur e përgatita dhe më sjell ndërmend, pikërisht frymën me të cilën na ushqente profesor Sadik Kaceli, një nga mësuesit e Liceut-shton Gurabardhi.
20 vjeç dhe me objektivin për tu bërë piktor, Dashamir Gurabardhi fiton konkursin dhe fillon studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Myrteza Fushekati në pikturë dhe Pandi Mele në grafikë bëhen dy mësuesit udhëheqës të artistit të ri, i cili duhet të ndajë një pjesë të mirë të kohës së studimit për grafikën, gjinia ku do të specializohej edhe më tej.
“Personaliteti i artistit formohet vonë, shkolla vetëm ndihmon në kultivimin e tij-shprehet Dashi, i cili pranon se Tirana me vlerat e artit kombëtar ka ndikuar dukshëm në jetën e tij artistike.
Ishte periudha e liberalizimit dhe të rinjtë përpiqeshin të përfitonin jo vetëm për tu njohur me të rejat e kulturës botërore, por edhe për tu shprehur më lirshëm përmes penelit dhe telajos.
Shijak, Durrës, Tiranë, New York
Emri i Dashamir Gurabardhit tingëllon shumë më gjatë se sa një emër i zakonshëm.
Me katër emra të tjerë brenda, që në gjuhën shqipe ndjellin vetëm mirë ky emër duket se rri tamam në njeriun që i takon.
Dashi ngjall goxha mirësi, dhe në ditët e qëndrimit të tij nga New Yorku në Durrës miqtë e shokët habiten që ai është tepër i informuar me atë që ndodh në atdhe, në Shijak, Durrës e Tiranë veçanërisht.
Edhe jeta e tij që po përfundon dekadën e gjashtë duket rigorozisht e ndarë mes këtyre qyteteve të cilat i kanë dhënë shumë, por edhe që kanë marrë nga talenti dhe veprimtaria e tij.
Dash Gurabardhi u rikthye në Shijak në mesin e viteve 1970, qyteza nga ku ishte larguar kur ishte vetëm 15 vjeç. Tani vinte si mësues vizatimi, një shans shumë i mirë për të shfrytëzuar peisazhin, që e njihte aq mirë.
Telajot nisën të plotësoheshin me motive të reja. Ekspozita kombëtare e atij viti në Tiranë hapet me “Mbjellëset e pranverës”, që mban firmën e tij. Ishte një lloj danci në fushë, një dëshirë e brendshme për ti parë vajzat fshatare si balerina.
Tamam mes Durrësit dhe Tiranës, Gurabardhi përfiton nga puna si mësues edhe në rrethinat e Shijakut, për të vlerësuar atë çka e rrethon dhe nga përvoja e krijuar përfiton edhe qyteti ku lindi.
“Punonja 6 orë në ditë, në një klasë, të cilën drejtoria e shkollës e linte në dispozicion për periudhën e verës. Gjithçka kisha akumuluar e hidhja mbi kanavacë apo vizatoja mbi letër-kujton Dashi vitet e punës në Shijak.
Emblema e Shijakut
Disa muaj para se të niset për në SHBA, piktori grafist le një shenjë të rëndësishme për qytetin e tij, 12 km larg Durrësit.
Ai krijon emblemën e qytetit me gjashtë elementët përkatës, duke nisur që nga reliefi, logoja dhe flamurët.
“Emblema përbën sintezën e organizimit të Shijakut. Toponimi ka të bëjë me anën historike – thotë Dashi, kur e pyes për Shën Jakun, ndërsa emblema i dedikohet pozicionit të saj strategjik mes Tiranës dhe Durrësit”.
Dashamir Gurabardhi po largohej drejt SHBA si të donte të plotësonte vehten me një kontinent të panjohur.
Kishte punuar për vite me radhë si mësues i grafikës në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku” (aktualisht “Jan Kukuzeli”) dhe përballë tij ishin të rinjtë që kërkonin suksesin, njëlloj si ai vetë në moshën e tyre.
Sillte “frymën e Tiranës” siç do të thoshte në atë kohë piktori i ndjerë Gavril Priftuli, duke sjellë në kujtesë periudhën e punës së përbashkët më disa nga artistët më të mirë të daltës dhe penelit në kryeqytet.
Teksa largohej për në SHBA, si “të ishte një lojë” po linte pas edhe dhjetra, për të mos thënë qindra punime, një pjesë në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e Galerisë së Arteve në Durrës, jo pak të tjera porosi nga gjysma e kontinentit, Itali, Francë, Skoci, Suedi, janë një numër portretesh që kanë shëtitur nëpër botë.
Dashi pikturon për vehte.
I pëlqen të ndjehet i përmbushur, i plotësuar. Ka punuar në vaj, në grafikë, në mix media, që është bashkimi i disa teknikave (guash, tempera, vaj). Edhe gjinitë që sipas specialistëve janë të ndara, për Dashamir Gurabardhin nuk përbëjnë motiv për ti trajtuar kështu.
Në vitin 1996 Gurabardhi hedh një hap të rëndësishëm. Ai hap ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
“Kam vizatuar shumë shpesh rrënjët e pemve, të plepave. Është një vepër me këtë titull, të cilën unë vazhdoj ta punoj e ta përpunoj edhe sot-më tregon Dashi.
-Përse rrënjët? Rrënjët, shpjegon Gurabardhi, pasi gjithmonë ka një zanafillë, të cilën askush nuk mundet ta mohojë.
Bëhet fjalë pikërisht për zanafillën e kulturës kombëtare.
Letra e presidentit George BUSH për piktorin shqiptar
Dashamir Gurabardhi është nisur për në SHBA në vitin 1998 me një valixhe. Tashmë ai ka një pozicion të nderuar, por kënaqësinë më të madhe ia jep i biri, Arseni, i cili pasi ka përfunduar studimet punon si “senior art director” në një kompani me seli në Manhatan. Disa javë më parë Arseni është martuar me një vajzë kosovare, çka e bën edhe me krenare shqiptarizmën e Dashit.
Ndërkaq edhe piktori i njohur shijakas nuk ka ndenjur duarkryq.
Ai punon si “art desajner” në një kompani me traditë mbi 100-vjeçare në prodhimin e mobiljeve artistike.
“Kam patur mundësinë të punoj në pikturë, e veçanërisht në mix media, një teknikë e përzier, dhe shpesh herë jam paraqitur në ekspozita kolektive dhe personale” – tregon Dashi për 15 vitet amerikane të jetës së tij dhe të familjes.
Dhe arritjet nuk janë pak. Në vitin 2000 gazetari dhe kritiku Carl Melor i gazetës “New Times” shkruan kështu për ekspozitën e hapur në galerinë “Delavan”, bashkë me tre piktorë të tjerë: “Gurabardhi me personalitetin e tij ndërthen elementë tradicionale të artit bizantin shqiptar me një frymë të re dhe moderne”. Më pas mbërrijnë analiza më të plota nga Katherin Rashford në “Post Standart”, në “New Home” dhe në “New Voice”.
Dashamir Gurabardhi çmohet më pas me “Onorate mention” në veprimtarinë “Bëmat e shtetit të New Yorkut”.
Por ka dy momente, të cilat Dashi i ndan veçmas. Dy vjet pasi kishte mbërritur në Neë York ai fiton çmimin e parë në një konkurs të arteve figurative.
Vepra kishte titullin “Koha” dhe sillte krejtësisht një temë shqiptare-kujton piktori, ngjarja më e veçantë e të cilit në SHBA mbetet një tjetër: Letra personale që ka marrë nga presidenti amerikan George W. Bush.
“Një mik i imi më kishte kërkuar një punim të veçantë si dhuratë për presidentin, i cili prej pak muajsh kishte përfunduar mandatin në Shtëpinë e Bardhë—tregon Dashi.
Në fermën e familjes Bush, në Teksas, i zoti i shtëpisë dhe miqtë kanë diskutuar mbi punimin, por z. Bush ka mbetur i befasuar kur ka mësuar se piktori ishte shqiptar.
Letrën e ka shkruar me dorën e tij, aty për aty, pasi ka kërkuar një format zyrtar me vulë të thatë.
Ajo fillon me fjalët “Dear Dash” (I dashur Dash).
“Ndoshta pjesa që më emocionon më shumë është paragrafi i fundit, kur presidenti amerikan kujton përvojën e vizitës së tij në Shqipëri, dhe ngrohtësinë e mikpritjes. Sot e kësaj dite, kur e shohin miqtë e mi amerikanë e quajnë atë një gjë të vyer, dhe me rekomandimin e tyre ajo është vendosur në një kënd të rëndësishëm të shtëpisë sime-përfundon Dashamir Gurabardhi, piktori i dy kontinenteve.