Skuadra e Teutës është duke u organizuar për sezonin e ri dhe në këtë kuadër në kampin durrsak ka lëvizje në hyrje e në dalje. Klubi ka njoftuar së fundi mbylljen e bashkëpunimit me mbrojtësin Harallamb Qaqi.“KF Teuta njofton zyrtarisht mbylljen e bashkëpunimit me mbrojtësin Harallamb Qaqi, i cili nga sot nuk do të jetë më pjesë e skuadrës sonë. Klubi e falënderon lojtarin për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së tij me fanellën blu, duke i uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive”, – shkruan klubi durrsak.
Teuta ka emëruar Edlir Tetovën në stol dhe po ashtu ka prezantuar mbrojtësin Abdurrahman Fangaj si përforcim. Lëvizjet do të vazhdojnë dhe pas Qaqit pritet të ketë largime të tjera nga durrsakët.Qaqi ka luajtur për disa klube të tjerë në Shqipëri, si Elbasani, Laçi, Partizani, Skënderbeu dhe Kukësi. Ai është rritur në Greqi dhe Itali si futbollist, ndërsa tani duhet të gjejë një skuadër të re për të vazhduar karrierën.





