Dhuna në familje është një plagë e shoqërisë sonë, ku shpesh viktimat më të pafajshme janë fëmijët.

Betina dhe Kurti janë personazhet kryesore të dramës “Pa faj”, që mbrëmjen e së mërkurës pati premierën në amfiteatrin antik të Durrësit.

Nën interpretimin e Ina Nallbanit dhe Xhejni Famës erdhi për artdashësin një dramë familjare, si shumë të tjera që konsumohen brenda 4 mureve të shtëpisë dhe shpesh bëhet publike përmes lajmeve të kronikës së zezë.

Një grua që nga e dhunuar kthehet në dhunuese, një burrë që kërkon t’i heqë gruas kujdestarinë e fëmijëve, instanca shtetërore që dështuan t’i garantonin mbrojtje një nëne të dhunuar fizikisht e psikologjisht.

Për aktorët kryesorë Ina Nallbani dhe Xhejni Fama interpretimi i kësaj drame në amfiteatrin antik e bën edhe më të drejtpërdrejtë mesazhin që përcillet tek publiku.

Ndërsa për Mimoza Marjanakun, që për herë të parë e shohim edhe në rolin e regjisores, drama “Pa faj” i flet gjithë shoqërisë sonë.

Drama “Pa faj” do të vijë për publikun durrsak dhe jo vetëm edhe për 3 netë të tjera në skenën magjike të amfiteatrit antik.

M.B.