Teuta është e plotë dhe gjendja është optimale. Harallamb Qaqi, një nga lojtarët kryesorë në gjirin e skuadrës durrsake, ka folur për gjendjen e skuadrës, por kujdeset të mos zbardhë objektiva konkretë për atë që Teuta kërkon në sezonin e ri.

Si është gjendja fizike e skuadrës?

Jemi të kënaqur deri më tani me stërvitjen, duhen dhe pak ditë nga ndeshja e parë në kampionat ndaj Laçit, por mendoj se do të kemi formë të mirë për të luajtur. Ashtu si unë, edhe shokët e tjerë duken gati, pasi kemi punuar mirë dhe fatmirësisht nuk kemi pasur dëmtime.

Si e shikon ekipin këtë sezon?

Sivjet kemi disa të rinj në grup, të cilët kanë shfaqur dëshirë për të treguar sesa vlejnë, ndërsa ne që kemi më shumë eksperiencë duam të përmirësohemi edhe më tej.

Me çfarë synimi nis ky kampionat?

Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë fazën e fundit të një sezoni më parë. Parashikojmë një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë mezi presim të nisë sezoni.

Cilët janë objektivat e Teutës sivjet?

Të gjithë dëshirojmë të bëjmë më mirë sesa viti i kaluar, kur zhvilluam një kampionat larg pritshëmrive tona. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira se viti i kaluar.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal me Teutën?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës, që klubi ta arrijë synimet e tij.