Nisin përgatitjet për Festivalin Veror të Librit në Durrës.

Fotot e shkrepura nga operatori Sokrat Toçi, mbrëmjen e së hënës në shëtitoren “Taulantia”, dëshmojnë punimet që po realizohen për ngritjen e të gjithë infrastrukturës së duhur për këtë event kulturor, të organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Për 5 netë me radhë, në datat 17-21 gusht, Durrësi do të mirëpresë këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, që pritet të bëjë bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë e personalitete të tjera të fushës së letrave.

Organizimi i këtij Festivali Veror në disa nga pikat më të frekuentuara të qytetit pritet të gjallërojë jetën kulturore të Durrësit dhe të nxisë dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë.

Më tepër se 30 aktivitete të larmishme do të mbahen në pika strategjike të qytetit, si: shëtitorja Taulantia, Amfiteatri Romak, Muri i Kalasë, librari Hugo, kafe Oborri etj.

Çdo mbrëmje, për 4 orë me radhë, stendat do të qëndrojnë të hapura për qytetarët dhe lexuesit e rregullt, që do të kenë mundësi të njihen nga afër me dhjetëra tituj të rinj të hedhur në qarkullim nga 35 shtëpi botuese.  

Eventi kulturor organizohet me mbështetjen e bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.

Më poshtë gjeni programin e detajuar për 5 netët e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore.

M.B.