35 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova u bën pjesë e Festivalit Veror të Librit në Durrës, që u çel mbrëmjen e së mërkurës dhe do të qëndrojë i hapur deri më 21 gusht.
Interesi i dashamirësve të librit ishte i madh, sidomos nga emigrantët, që priren më shumë drejt librave historikë.
Çmimet e kripura të librave bëhen shpesh pengesë për lexuesit, por gjatë 5 netëve të këtij eventi shumëkush mund t’i blejë titujt e preferuar më lirë.
Shtëpitë botuese shprehen të kënaqura nga interesi i treguar nga qytetarët. Për to është një ogur i mirë që panairi u hap kur Durrësi është në pikun e sezonit turistik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se ky festival libri është një tjetër shenjë domethënëse për Durrësin, për ringritjen e tij, pas goditjes nga tërmeti.
Ndërkohë, kryebashkiakja Emiriana Sako e vuri theksin në rëndësinë që ka ky panair për të promovuar shkrimtarët e rinj durrsakë.
Gjatë netëve të këtij Festivali të Librit, të organizuar nga shoqata e Botuesve Shqiptarë, më tepër se 30 aktivitete të larmishme do të mbahen në pika strategjike të qytetit, si: shëtitorja Taulantia, Amfiteatri Romak, Muri i Kalasë, etj.
E ndërsa në shëtitoren “Taulantia” lexuesit e rregullt nxitonin të blinin librat e preferuar, në Forumin Bizantin mbahej mbrëmja poetike “Odë për Kalipsonë”. Një grup poeteshash të njohura krijuan një atmosferë elektrizuese ndërsa lexonin lirikat e Safos, të shoqëruara nga tingujt e muzikës.
M.B.