Sokrati, Platoni dhe figura të tjera të filozofisë dhe letërsisë antike greke zbritën mbrëmjen e së premtes në amfiteatrin antik të Durrësit.
Zbritën jo fizikisht, por me thëniet dhe thagmat e tyre të një bisede të zhvilluar rreth 2500 vite më parë. Ishte akademiku Artan Fuga që para një audience me emra të njohur të letrave dhe dashamirës të librit zbërtheu erosin në veprën “Gostia”, të filozofit grek Platon.
Por është Sokrati apo Platoni që rrëfejnë?
Gjatë ligjëratës së tij, profesor Fuga u ndal gjatë tek shpjegimi i njërit prej komponentëve më të rëndësishëm të veprës, rrëfimi që vjen përmes rrëfimit të rrëfimit të rrëfimit.
Platoni ka zgjedhur që të gjithë veprën ta ndërtojë përmes dialogjeve, duke shmangur rrëfimtarin dhe kjo jo pa qëllim.
Në konkluzionet e tij, profesor Fuga vuri theksin në filozofinë që përcjell Sokrati në bisedën mes miqve, duke e zbritur Erosin nga Olimpi i perëndive tek të vdekshmit e tokës, tek njerëzit.
M.B.