Teuta bëhet gati për ndeshjen e javës së parë me Laçin. Renato Arapi udhëhoqi pasditen e djeshme seancën stërvitore të radhës, të Teutës, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së dielës në orën 17:00 në arenën e kurbinasve ndaj Laçit, e vlefshme për javën e parë të Kategorisë Superiore.Risia e ditës së djeshme ishte se mesfushori i sapoardhur, Erando Karabeci, kreu stërvitje normale, çka do të thotë se është gati dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit për ndeshjen e kësaj fundjave. Mesfushori ka vetëm disa ditë me ekipin, por deri më tani i është përgjigjur programit të stafit teknik dhe mund të marrë minuta që në ndeshjen e parë, duke qenë se Teuta vuan për alternativa në mesfushë.

Dje skuadra e zhvilloi seancën e radhës në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Artan Jazxhi është shqetësimi i vetëm për trajnerin. Mbrojtësi i qendrës ka një problem dhe po garon me kohën për të qenë gati. Prej ditësh ai vijon periudhën e riaftësimit. Pjesa tjetër e grupit është e gatshme dhe trajneri pritet të vendosë për 11-shen. Arapi vendosi ta bënte nxehjen pa top fillimisht, përpara se çdo ushtrim i skuadrës të kryhej me sferën në këmbë. Dyshja Arapi-Hodo të cilët njihen për stilin e tyre të lojës me pasime të shpejta dhe pa mbajtje topi të tepërta, u kërkoi vazhdimisht djemve të luanin shpejt dhe saktë. Madje, në një moment, kur skuadra po dilte nga direktivat e tij, Arapi e ndali për pak sekonda stërvitjen duke dhënë udhëzime më konkrete.