Nga Mila Ballhysa

Një zbulim mjaft i rëndësishëm arkeologjik ka dalë në dritë gjatë gërmimeve të bëra në territorin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, e cila do të rindërtohej nga e para, pas dëmtimeve të marra nga tërmeti.

Megjithëse i gjithë zbulimi është mbajtur i fshehtë nga autoritetet shtetërore. “DurrësLajm” po ju sjell plane ekskluzive me dron të realizuara nga operatori Denis Simaku. Zbulimi arkeologjik daton në periudhën e shek. IV-III para erës sonë.

UNDP, zbatuesja e projektit për rindërtimin e shkollës në fjalë, në një përgjigje zyrtare bën të ditur se është përgatitur nga ekspertët arkeologë një raport mbi gjetjet dhe është dorëzuar pranë Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale konform legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu, zyrtarisht mësohet se raporti i gjetjeve është realizuar nga një arkeolog i licencuar, i cili ka kryer gjithashtu edhe gërmimet arkeologjike.

“Gjetjet e zbuluara të qeramikës, metalit dhe qelqit janë inventarizuar dhe do t’i nënshtrohen një procesi analize dhe vlerësimi të specializuar”,- thuhet më tej në përgjigje.

Nga pamjet me dron që “DurrësLajm” po sjell rrënojat e mureve antike të sjellin ndërmend zbulimin e bërë pak vite më parë tek ish-lulishtja 1 Maji, mbi të cilin u ngrit një pallat, por rrënojat u konservuan në themelet e godinës.

Pritet që në ditët në vijim, autoritetet përkatëse të zbulojnë më shumë mbi këtë zbulim, pasi deri tani duket e pakuptimtë heshtja e tyre përpara këtij zbulimi. Zona ku ngrihej shkolla 9-vjeçare është pjesë e zonës arkeologjike A të qytetit bregdetar.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe dëmtimeve që morën shumë nga sitet arkeologjike dhe historike të Durrësit, BE startoi programin EU4Culture, me vlerë 40 mln euro, me të cilin do të restaurohen një sërë sitesh të trashëgimisë kulturore të disa qyteteve shqiptare.

Njëkohësisht qeveria Rama ka shpallur me një vendim të veçantë parkun arkeologjik të Durrësit, që përfshin zonën A % B të qytetit 3000-vjeçar.

Në Durrës pritet të implementohet në muajt dhe vitet në vijim Plani i Menaxhimit të Integruar i hartuar nga AADF, i cili përfshin zbulimin e amfiteatrit, restaurimin e rreth 80 godinave përgjatë bulevardit “Epidamn” etj.

Por çfarë do të ndodhë me shkollën 9-vjeçare?

Duket se zbulimi arkeologjik është i një rëndësie të veçantë dhe për këtë arsye Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka vendosur që gjetjet arkeologjike duhet të mbrohen dhe gjurma e shkollës të spostohet diku tjetër.

“UNDP është duke proçeduar me një projekt të ri teknik për të akomoduar të gjitha nevojat dhe duke siguruar që shkolla e re garanton të njëjtin nivel ambientesh dhe standardesh për nxënësit në të ardhmen”- thuhet në përgjigje.

Shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” u shemb me datë 16 tetor 2021, ndërsa punimet në kantierin e ndërtimit janë ndërprerë në fillim të muajit prill 2022 për të lejuar ekspertët arkeologë në realizimin e gërmimeve të nevojshme dhe për të përgatitur raportin e tyre.

Vendimi për të ruajtur gjetjet arkeologjike është marrë nga Instituti Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore me datë 3 Qershor 2022, me Nr. Vendimi 223.

Shkolla “Eftali Koçi” është mes 16 objekteve arsimore, që do të rindërtohen dhe rikonstruktohen në bashkinë Durrës nga programi EU4School i BE.