Muajt e verës janë të shumëpritur për bizneset dhe jetën ekonomike në qytet. Ky sezon lidhet domosdoshmërisht me turizmin. Sipas shifrave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2021 në total, kanë hyrë në vendin tonë 5 688 649 nga të cilët 5 172 846 janë shtetas të huaj që kanë hyrë nga kontinenti i vjetër. Nga ky vit, insititucionet shtetërore kanë patur të tjera pritshmëri.
Sipas Shoqatës së Turizmit në vend, këtë vit deri më tani e kanë vizituar rreth 4 milionë shtetas të huaj, gati 75 % e tyre me rrugë tokësore. Ndërsa nga krahu tjetër, po sipas Shoqatës së Turizmit në vend, gati 3 milionë e 100 mijë shqiptarë dolën nga vendi në 7 muajt e parë si turistë.
Në oborrin e Amfiteatrit grupi i xhirimit të “DurrësLajm”, ka takuar zotin Ilir Papa nga agjencia “Sipa Tours” së bashku me guidën e një grupi turistësh polakë në qytet. Ai rrëfen sa vite ka që punon me guidat në Shqipëri.
“Kemi disa vite që punojmë bashkë. Kemi një miqësi të mirë shqiptaro-polake. Kam më shumë se dhjetë vjet që sjell grupe turistësh në Durrës. Në këto dhjetë vjet zakonisht kemi sjellë shumë grupe. Ata në Durrës vijnë për të shijuar plazhin, por edhe objektet historike”.
Por ne kërkuam të kuptonim më shumë mbi fluksin e turistëve polakë në qytet.
“Që nga fundi i muajit maj, vetëm unë si guidë kam sjellë 11 grupe, duke llogaritur që ka dhe guida të tjera që operojnë me të njëjtën kompani.
Ndërsa lidhur me kohëzgjatjen e sezonit ai shprehet:
“Sezoni varet nga fluturimet charter, ndaj sezoni pak a shumë fillon në qershor dhe mbaron në fund të shtatorit, mund të them se sezoni po mbyllet. Operatorët në Poloni janë duke e zhvilluar gjithnjë e më shumë turizmin në Shqipëri. Ata qëndrojnë në Durrës për plazh një apo dy javë, por ka grupe që vijnë edhe për të shëtitur të gjithë Shqipërinë”.
Prania e turistëve polakë në vendin tonë u vu në pikëpyetje pas luftës në Ukrainë, por mesa duket ata kanë qëndruar besnikë të qytetit tonë.
H.H.