Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme gjatë një konference për mediat në Gjirin e Lalëzit për ecurinë e turizmit në vendin tonë gjatë këtij sezoni, si dhe për pastërtinë në bashkitë kryesore.

Rama edhe sot shpalli kampion të pastërtisë Bashkinë e Lezhës, të drejtuar nga ish-deputeti i PS Pjerin Ndreu, ndërsa theksoi se edhe Tirana nuk është më një simbol i pisllëkut, pas punëve që janë kryer në terren.

Kryeministri u ndal dhe tek fusha e mbeturinave që ka pas qenë në Spitallë të Durrësit, që sipas tij bënte lajm çdo verë.

Kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar edhe për disa vite që bënim lajm për pisllëkun. Që dilnim nëpër mediat e huaja si një vend pis, i ndotur. Jo shumë larg që këtu kemi pasur një ndër gangrenat më të mëdha të Shqipërisë dhe kontinentit europian. Fushën e mbeturinave në Durrës që bënte lajm çdo verë. Kemi pasur këtë vit falë punës këmbëngulëse, për të cilin kishim filluar punën një vit më parë, siç kemi filluar punën për vitin e ardhshëm nën drejtimin e ministres së mjedisit dhe shembullit inkurajues të një bashkie, më konkretisht bashkisë së Lezhës, sa i përket pastërtisë. Sot me përjashtimin spektakolar të Bashkisë së Vlorës mund të themi se kemi pasur një sezon jo më të pastër se ndonjëherë, se në krahasim me pisllëkun që kemi qenë, është një sezon realisht i pastër. Duke filluar nga Tirana, të gjitha përshtypjet e të anketuarave për mendimin mbi Tiranën fillojnë me pastërtinë. Një kryeqytet që ishte simbol i pisllëkut, në ato katër vite që ra në gjumë së bashku me atë që gërhiste, tashmë është fakt që është i pastër”, tha Rama.